Kombëtarja e Kosovës në futboll, pas stërvitjes, ka mbajtur edhe konferencë për media, para takimit të fundit në kualifikimet e Botërorit 2026.
Para duelit me Zvicrën, në konferencën e mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” ishin të pranishëm selektori Franco Foda si dhe mbrojtësi Albian Hajdari.
Të dy, si tekniku gjerman, po ashtu edhe mbrojtësi që luan në Superligën e Zvicrës, kishin mendjen e prerë sa i përket qasjes në takimin e nesërm, ku synimi i tyre është trepikëshi.
Sa i përket mundësisë për kualifikim direkt, trajneri Foda tha se është e vështirë të dalim të parët në grup dhe të fitojmë me një rezultat 6:0, por synimi i vetëm është fitorja.
Po ashtu, tekniku gjerman tha se në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës, Kosova nuk e tregoi fytyrën e saj të vërtetë dhe shpreson në fitore në takimet e play off-it.
“Në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës nuk e treguam fytyrën tonë të vërtetë. Matematikisht jemi ende në garë për vendin e parë, por realisht fitorja 6-0 është shumë e vështirë. Tani jemi para publikut tonë, euforia është e madhe. Dëshirojmë të tregojmë cilësi. Po ashtu dëshirojmë që t’i fitojmë ndeshjet e play off-it. Nëse i fitojmë ato do të shkruajmë histori të madhe”, deklaroi Franco Foda.
Ndër të tjera, Foda foli edhe për sulmuesin në formë Fisnik Asllani, duke vlerësuar lartë aftësitë e tij.
“Ai është në një formë shumë të mirë dhe ka bërë një ndryshim ekstrem të madh. Vitin e kaluar ka luajtur në ligën e dytë, tani po e shohim një zhvillim tepër të madh, po shënon gola, po luan shumë mirë me topin, është shumë i aftë në hapësira të ngushta, e gjen gjithmonë mundësinë dhe, çfarë është më e rëndësishmja, është jashtëzakonisht shumë i rrezikshëm para portës”.
Në anën tjetër, Albian Hajdari tha se Kosova po kalon një moment të mirë dhe se ekipi synon ta mbyllë ciklin me maksimumin e pikëve, pos kualifikimit historik në play off.
“Besoj se çdo lojë është e rëndësishme sikur të gjitha të tjerat dhe normalisht ne e kemi tani një seri shumë të mirë, pasi kemi humbur vetëm me Zvicrën në ndeshjen e parë; përndryshe të gjitha ose i kemi fituar ose e kemi marrë një pikë dhe në ndeshjen ndaj Zvicrës do të japim maksimumin, hyjmë për maksimumin dhe hyjmë për t’i fituar tri pikë, sepse në lojën e fundit e shkruam historinë, por ne duam edhe me pikë të bëjmë histori, ta arrijmë maksimumin e pikëve dhe ne shkojmë për tri pikë”.
Ai komentoi edhe deklaratat e Granit Xhakës, duke theksuar se vendimi i tij për Kosovën ka qenë i menduar dhe i drejtë.
“Besoj që Leoni edhe unë e kemi marrë vendimin para një kohe për Kosovën dhe, siç kam thënë edhe më herët, ne kemi vendosur me njerëzit më të afërm; me ata e kemi biseduar vendimin tonë dhe në fund çfarë thonë të tjerët janë mendimet e tyre. Unë jam në rregull çfarë ka thënë Graniti, ai është mendimi i tij, respekt për atë dhe karrierën e tij dhe vetëm suksese”.
Një tjetër temë e prekur ishte gjendja e Edon Zhegrovës, i cili prej javësh ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimit, e sa i përket tij, Foda la të hapur mundësinë për aktivizimin e tij.






