Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, më 5 janar 2026 ka ekstraduar nga Kosova në Turqi një shtetas turk.
Sipas komunikatës zyrtare të Policisë, i dyshuari ishte arrestuar pasi për të ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet turke, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Shfrytëzimi seksual i fëmijës” dhe “Privimi i lirisë së fëmijës”, sipas Kodit Penal të Turqisë.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe Turqisë.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë bashkëpunimin me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera të jashtëligjshme”, theksohet në komunikatën për media./teve1.info/







