Kosova është renditur si vendi i tretë në botë më i sigurt, në një raport të publikuar nga “Gallup Global Safety Report 2025”.
Ky raport i cili mat perceptimin e qytetarëve lidhur me sigurinë e tyre personale e besimin te Policia, e vë Kosovën si vendin e parë në Evropë për siguri.
Koloneli në pension i FSK-së, vlerëson se ka elemente kriminale në vend por që jeta e qytetarëve mbetet ende në nivelin e duhur të sigurisë.
“Kosova ka rreziqe tjera që janë të importuara prej jashtë, qoftë përmes kërcënimeve që i bëjnë fqinjët tonë karshi me territorin tonë dhe shtetin si shtet si tërësi dhe jo në kuptimin individual të qytetarit por të qytetarit përmes kërcënimit që i bëhet shtetit ose edhe përmes agjendave të huaja që janë të infiltruar nëpër institucione dhe grupe të ndryshme që mundohen që ideologjitë e tyre ti përhapin brenda shtetit të Kosovës”, ka thënë Gecaj.
Gecaj vlerëson që ky sukses i atribuohet traditës dhe kulturës së popullatës.
“Kjo në fakt lidhet shumë më tepër me traditën dhe kulturën e popullatës, jo me suksese të qeverive sepse Qeveria nëse don me tregu suksese në këtë fushë dhe don me informu opinionin që ka pasur sukses në këtë fushë atëherë ofron statistika, jo deklarata politike, deklaratat e tilla janë thjesht politike dhe shfrytëzim i një momenti me paraqit si sukses diçka që në fakt është traditë e këtij populli”, shprehet ai.
E sipas avokatit Arbër Jashari, ky raport duhet lexuar drejt pasi që përbëhet nga mendimet e qytetarëve për institucionet e sigurisë.
“Konsideroj se pavarësisht se e mat vetëm perceptimin e qytetarëve është një raport mbresëlënës dhe shpresdhënës duke qenë se tregon se qytetarët e Republikës së Kosovës ndjehen të sigurtë në vendin e tyre, pra në shtetin e Kosovës dhe kanë besim te policia lokale dhe instanca tjera të Policisë dhe kjo është një lajm i mirë”, thekson ai.
Ky raport që zhvillohet në më shumë se 140 shtete, përbëhet nga katër pyetje ndër to se a ndihen të sigurt njerëzit kur ecin të vetëm gjatë natës në qytetin ku jetojnë dhe a kanë besim në policinë lokale.
Po ashtu, raporti thekson se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonën ku jetojnë.