Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është në fazën përfundimtare të themelimit të industrisë së saj të mbrojtjes dhe se deri në fund të këtij viti pritet të nisë prodhimi i municioneve të para “Made in Kosova”.
Sipas Maqedoncit, gjatë vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka themeluar një komision të posaçëm për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, i cili po punon në hartimin e një ligji që do ta rregullojë qartë këtë fushë, si dhe në ndërtimin e strukturave institucionale të dedikuara për këtë sektor strategjik.
Ai ka bërë të ditur se më 16 dhjetor 2024 është nënshkruar kontrata për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e municioneve, ndërsa makineritë tashmë janë duke u prodhuar në Turqi nga kompania shtetërore MKE, “një nga prodhuesit më të njohur globalë të municioneve”.
Sipas tij, mbetet vetëm përfundimi i objektit fizik, ndërsa plani është që prodhimi të nisë më së largu deri në dhjetor të këtij viti.
“Ka mbetur çështja e objektit dhe ne planifikojmë që më së largu deri në dhjetor të këtij viti të fillojmë prodhimin e municioneve të para ‘Made in Kosova’, pra është çështje e adresuar në kontratën që kemi me prodhuesin turk MKE, që është njëri ndër prodhuesit më të njohur në nivelin global për prodhimin e municioneve. Këto makineri janë të standardeve të NATO-s. Përtej fabrikës, aty do jetë një kompleks industrial i prodhimit të municioneve, sepse përveç prodhimit do të ketë laborator të testimit të kualitetit, të kalibrimit – do të ketë pastaj edhe laboratorë të tjerë të cilët do të merren me çështjen e analizës dhe të vlerësimit të prodhimit që e bëjmë, jo vetëm për këtë fabrikë, por ndoshta edhe për prodhuesit e tjerë”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ministri theksoi se makineritë që do të instalohen në Kosovë janë të standardeve të NATO-s dhe se fabrika nuk do të jetë vetëm një linjë prodhimi, por një kompleks industrial i plotë, i cili do të përfshijë laboratorë për testimin e cilësisë, kalibrimin, analizën dhe vlerësimin e prodhimit.
Këta laboratorë, sipas tij, do të shërbejnë jo vetëm për fabrikën shtetërore, por edhe për prodhues të tjerë potencialë në të ardhmen.
Maqedonci deklaroi se në fazën fillestare, fabrika do të prodhojë dy lloje municionesh.
“Kjo fabrikë do të prodhojë dy lloje të municioneve fillimisht municionet 5.56 dhe municionet 7.62. këto dy lloje janë municione të standardeve të NATO-s dhe janë municione që shpenzohen më së shumti nga njësitet ushtarake në vendet e NATO-s. Janë municione të pushkës dhe municione të mitralereve të lehtë”, tregoi ai.
Maqedonci bëri të ditur gjithashtu se në zonën e Jahocit në Gjakovë, ku do të ndërtohet fabrika, Qeveria e Kosovës ka ndarë një hapësirë të konsiderueshme që do të shfrytëzohet edhe nga prodhues privatë potencialë.
Sipas tij, do të ketë licencim për prodhuesit privatë të municioneve dhe sistemeve të armatimit, duke e shndërruar këtë zonë në një qendër industriale të mbrojtjes.
“Në zonën ku do të ndërtohet kjo fabrikë në Jahoc të Gjakovës, Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë një pjesë të madhe të hapësirës, e cila do të shfrytëzohet edhe për prodhuesit potencialë privatë, të cilët vlerësojnë për të hapur fabrika. Do të ketë licenca për prodhuesit privatë, për municione dhe sisteme të armatimit”. /teve1.info/







