Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Liza Gashi, dhe zëvendësministri për Çështje Multilaterale, i Kosta – Rikës, Alejandro Solano Ortiz, kanë zhvilluar konsultime politike ndërmjet dy vendeve me rastin e 10-vjetorin të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Me këtë rast sipas komunikatës është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për shkëmbim akademik diplomatik.
“Në kuadër të konsultimeve politike janë diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit, mjedisit dhe ekonomisë. Temë e veçantë e diskutimit ishte edhe largimi i vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare të Republikës së Kosovës.Të dyja palët vlerësuan se Kosova dhe Kosta- Rika ndajnë të njëjtat vlera të përbashkëta të respektimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në rrafshin e bashkëpunimit multilateral, zëvendësministrja Gashi e njoftoi palën e Kosta-Rikës për planet e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe nevojën për përkrahje gjatë këtij procesi”, thuhet në komunikatë.
Zëvendësministri Solano, duke falënderuar zëvendësministren Gashi për vizitën, u shpreh se beson që bashkëpunimi i afërt dhe thellimi i këmbimeve ndërmjet dy shteteve do të rritet në vitet e ardhshme.
“Në kuadër të konsultimeve politike në mes Kosovës dhe Kosta-Rikës, është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për shkëmbim akademik diplomatik. Ky bashkëpunim do t’u mundësojë akademive diplomatike të të dyja vendeve të kenë një kornizë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive në diplomaci, politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë./teve1.info/