Ish-deputeti, Visar Korenica ka deklaruar se ai dhe disa nga anëtarët e “Koalicionit për Familjen” që të mërkurën u bashkuan me PDK-në, kanë marrë garanci nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, se Kodi Civil nuk do të dështojë për shkak të dy neneve të kontestuara.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Korenica ka theksuar se as ai dhe as Eman Rrahmani nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre lidhur me Kodin Civil dhe projektligjin për shëndetin riprodhues me fertilizim.
“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim as në fillim, as në mes dhe as në fund. Mendojmë se shoqëria jonë ka një konstrukt të qartë vlerash konservatore, të cilat përputhen me traditën dhe identitetin tonë kombëtar e fetar”, ka thënë Korenica.
Ai ka shtuar se çdo tentim për imponim të vlerave të tjera sociale nga organizata të ndryshme nuk do të duhej të ndikohej në procesin ligjvënës.
Sipas tij, gjatë një takimi të sotëm, kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka garantuar se “nuk do të lejojë që një dokument kushtetues dhe i domosdoshëm si Kodi Civil të dështojë për shkak të dy neneve të veçuara”.
“Të gjitha këto kanë gjetur rrugën e përbashkët për të cilat kemi marrë edhe garancën edhe të liderit tashmë të ri të PDK-së, Bedri Hamza i cili sot gjatë takimit e potencoi se në asnjë rrethanë nuk do ta lejoj që një document si Kodi Civil që është dokument kushtetues të dështoj për dy nene në kuptimin e asaj që të rrezikohet një process shumë i nevojshëm në vendin tonë, pra është dokument i përmbledhjes të shumë ligjeve të ndara tashmë që i kemi në fuqi e që fatkeqësisht për arsye të ndryshme e vecmas ideologjike janë shtyrë përpara, pra po potencoi që nuk kanë qenë kusht as për integrim në Evropë as në ndonjë instancë tjetër që është trumbetuar fuqishëm që është një prej kushteve por rezultoi që nuk është”, ka deklaruar Korenica.
Korenica ka theksuar se Kodi Civil është një përmbledhje e shumë ligjeve ekzistuese, të cilat deri më tani kanë qenë të shpërndara, dhe sipas tij, vonesat në miratim kanë qenë kryesisht për arsye ideologjike.
Ai ka nënvizuar se, ndryshe nga sa është pretenduar publikisht, Kodi Civil nuk ka qenë kusht i detyrueshëm për proceset e integrimit evropian.
Ndryshe, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani, një vit më parë vendosen të largohen nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të mos ndryshimit të qëndrimit të këtij subjekti sipas tyre, karshi disa ligjeve të caktuara të cilat ata kishin kërkuar të mos jenë pjesë e programit qeveritar.
“Ishte një kohë me përpjekje të shumta për të qartësuar pozicionin tonë edhe angazhimin e mëtutjeshëm politik sa i përket qëndrimeve dhe atë çfarë përfaqësonim brenda në kuvend. Duke parë se nuk kishte më rrugëdalje tjetër apo pozicionim tjetër të subjektit, karshi ligjeve të caktuara të cilat ne në vazhdimësi kemi kërkuar që ato të mos jenë pjesë përbërëse në programin qeveritar, sepse nuk ishte as pjesë përbërëse e programit gjatë fushatës, erdhi deri tek kjo situatë e re dhe pas shpalljes së zgjedhjeve të reja si rezultat i kësaj kemi marrë një qëndrim bashkë me kolegun Eman Rrahmani”, kishte deklaruar Korenica në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.




