Të gjithë personat që cenuan vullnetin e lirë të qytetarëve duke manipuluar me votat qofshin komisionerë apo edhe kandidatë për deputetë, të cilëve iu shtuan votat do të intervistohen nga prokuroritë përkatëse.
Kështu ka deklaruar për KosovaPress, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja, Laura Pula, e cila vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë e konsideron veprim të duhur.
Rinumërimi i plotë në dhjetë komuna, si dhe disa tjera me 10 përqind, zbuloi parregullësi në numërimin e votave.
Aty u zbuluan “dallavere”, brenda votave të partive, ku disa kandidatëve u mungonin votat, e disa të tjerëve iu shtuan.
Kjo ka bërë që të ketë shumë reagime, madje u kërkua edhe rinumërim i plotë, gjë që edhe do të ndodh pas vendimin që sot mori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Prokurorja, Pula thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit në shumicën e komunave lidhur me dyshimet për manipulim të votave pas zgjedhjeve ka urdhëruar grumbullimin e provave dhe nisjen e hetimeve penale.
Pula tha se procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 shkoi mirë, por pas rinumërimit u evidentuan mospërputhje të votave mes kandidatëve brenda të njëjtit subjekt politik, çka sipas saj përbën “manipulim brenda llojit”, pasi nuk janë prekur votat mes subjekteve politike, por votat për deputetë brenda një partie.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Kjo dukuri që ndodhi pas zgjedhjeve, të cilat zgjedhje shkuan shumë mirë, mirëpo pas numërimit të votave dhe evidentimit se ka mospërputhje mes kandidatëve të subjektit të njëjtë, çka nënkupton se votat mes subjekteve fare nuk janë prekur, janë prekur votat e deputetëve brenda një subjekti që është manipulim brenda llojit, kështu quhet. Atëherë, jemi vënë në lëvizje dhe në momentin kur kemi kuptuar se deri dje kanë përfunduar pothuajse një mori e komunave me rinumërimin e votave, atëherë sot unë si koordinatore nacionale e zgjedhjeve, kam udhëzuar të gjithë kryeprokurorët e prokurorive respektive që të merren me grumbullimin e provave dhe të fillojnë hetimet në ato vende ku ka elementet e veprës penale. Kemi të bëjmë me një vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, dhe kjo është në kuadër të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe do të hetohen të gjithë ata persona të cilët kanë prekur në vullnetin e lirë të qytetarit për ta zgjedhur deputetin”, tha ajo.
Prokurorja Laura Pula tha se hetimi do të jetë i mirëfilltë dhe se do të intervistohen të gjithë komisionerët që kanë marrë pjesë në numërim, si dhe të gjithë kandidatët të cilëve u janë shtuar votat, për të sqaruar arsyet e mospërputhjeve dhe përgjegjësitë eventuale.
“Atëherë, hetimi ka me qenë i mirëfilltë. Në momentin kur do të intervistohen të gjithë komisionerët të cilët janë përfaqësues të gjitha subjekteve politike në momentin kur kanë numëruar dhe kanë rinumëruar votat dhe votat nuk përputhen tashti me numërimin nga QNR-ja, ata do të intervistohen dhe do të tregojnë pse ia kanë shtuar votat një kandidati të caktuar, apo pse ia kanë munguar votën një kandidati të caktuar. Prandaj, kur themi hetim i mirëfilltë nënkuptojmë se hetimi do të vazhdojë dhe do të marrim informata për aq sa do të është e mundur që të marrim informata nga komisionerët, të cilët do të na udhëzojnë se a kanë qenë të shtyrë dhe arsyeja pse i kanë shtuar vota një kandidati të caktuar. Arsyet mund me qenë të ndryshme, të kuptohemi, prandaj vetëm me një hetim mund ta zbulojmë arsyen e saktë se pse ju kanë shtuar vota kandidatit të caktuar.. 03’11 Do të intervistohen të gjithë ata kandidatë të cilët ju kanë prekur votat dhe ju kanë shtuar votat. Nëse dikush del thotë që unë nuk jam fajtor për shtim të votave, atëherë duhet me dalë komisioneri i subjektit të tij konkretisht dhe të tregojë pse ja ka shtuar votat atij kandidati”, deklaroi prokurorja Pula.
Sipas prokurores, Pula, një rast i ngjashëm me këtë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndodhi në vitin 2010, kur pas zgjedhjeve u evidentuan mospërputhje të votave dhe u akuzuan rreth 1,500 persona, duke theksuar se raste të tilla dëmtojnë reputacionin e shtetit.
Ajo tha se rinumërimi në të gjitha komunat është i nevojshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për të sqaruar nëse është cenuar vullneti i tyre.
“Vetëm në vitin 2010 kemi pasur një rast të tillë, ku pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas certifikimit të tyre, kemi hasur në mospërputhje të numrit të votave të kandidatëve, për çka, sa më kujtohet, diku kanë qenë 1500 persona të akuzuar për këto, në ato zgjedhje…. Prandaj ato kanë qenë zgjedhjet unë konsideroj që e kanë prishur reputacionin e Republikës së Kosovës si shoqëri, mirëpo fatmirësisht ndër vite ne patëm evoluar shumë mirë duke u mburrur si shtet me zgjedhje demokratike. Mua më vjen keq se pas vërtet një procesi shumë të mirë që kaluam me 28 dhjetor, tani duhet të ballafaqohemi edhe me hetime të mirëfillta për të zbuluar të vërtetën…05’41 Konsideroj se me numërimin e përgjithshëm të të gjitha, në të gjitha komunat, 28 komunat, është shumë më mirë…me qëllim që mos të lihet ndonjë shkas që të mendohet se ka mundur që mos edhe në komuna të tjera ka, manipulim, me qëllimin e vetëm që të kthehet besimi i publikut te institucionet të cilat merren me drejtësisë dhe institucionet e tjera të sigurisë. E, nëse është cenuar tani më vullneti i qytetarëve ne duam ta themi haptas, është cenuar në një farë mënyre”, deklaroi ajo.
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula bëri të ditur se për hetim janë të nevojshme procesverbalet e numërimit dhe rinumërimit, listat me nënshkrime të komisionerëve dhe dokumentet verifikuese, të cilat do të krahasohen për të identifikuar dallimet në vota.
“Neve na interesojnë lista e librave, ku janë nënshkruar të gjithë komisionerët. Na intereson procesverbali i verifikimit të numërimit të votave ku nënshkruhet nga të gjithë komisionerët e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe ndër të tjera na intereson tani procesverbali i ri i rinumërimit për ta bërë krahasimin se sa vota më kanë marrë ty dhe t’i kanë qit ty. Dhe kur këto janë prova relevante. Po, ndërkohë mund të kemi dhe prova të tjera, për të cilat prokurorët e rasteve në komunat, në shtatë komunat e Republikës së Kosovës, do të merren me këto raste, me, me verifikim. Për atë thashë, duhet të informohemi dhe të grumbullojmë prova e pastaj të vazhdojmë me hetime të tjera…09’10(Hetimi) Do të jetë në shtatë prokurori themelore, të cilat i mbulojnë edhe me kompetencë territoriale dhe komunat e tjera”, deklaroi koordinatorja nacionale e zgjedhjeve.
Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën.
Përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
Ndërsa, më herët ishte marrë vendim për rinumërim në gjithsej 10 komuna, ku doli se në Prizren ishte bërë manipulim i madh i votave brenda listës zgjedhore të një partie.
Qytetarët e Kosovës më 28 dhjetor 2025 iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës e më pas edhe qeverinë e re.











