Kriteret i përmbushën por pozitën se fituan.
Taulant Bajrami e Arben Loshi, sipas rezultatit, ishin dy më të mirët në konkursin për sekretar të përgjithshëm të Kuvendit.
Por ani se kaluan të gjitha filtrat, Kuvendi riktheu konkursin në pikën zero.
Njëri s’deshi ta komentojë e tjetri Taulant Bajrami, tha se ky vendim u mor me inat.
“Që në fillim, nga Kryetarja e Kuvendit është vërejtur një tendencë e hapur për anulimin e këtij procesi, nën një arsyetim që nuk parashihet askund në ligj. Asnjë dispozitë e Ligjit për Zyrtarët Publikë, as Rregullorja e Punës së Kuvendit, nuk i japin Kryesisë diskrecion për anulim apo rishpallje të procesit. Ligji dhe Rregullorja e Kuvendit, e përcaktojnë qartë se rishpallja e konkursit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka dy apo më shumë kandidatë që kanë kaluar pragun prej 70% të vlerësimit. Në rastin konkret, jo vetëm që ky kusht është përmbushur, por si unë ashtu edhe kundërkandidati im kemi arritur vlerësim pothuajse maksimal”, shprehet Bajrami.
Një gjë e tillë s’do të duhej bërë, edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Nga IKD thanë Kuvendi bëri shkelje ligjore kur rishpalli konkursin, në fazën kur veçse janë zgjedhur kandidatët fitues.
“Çfarë kuptimi ka shpallja e konkursit që të konkurrojnë dhjetëra kandidatë të intervistohen me meritokraci, të dërgohen dy emra dhe të mos kaloj asnjëri, nuk ka as kuptim ligjor dhe as etik e demokratik në raport me kërkesat kanë qenë të plotësuara nga kandidatët ndërkohë që kryesia nuk e ka plotësuar kushtin minimal që ta përzgjedh njërin”, vlerwson Naim Jakaj nga IKD.
Kuvendi është me zëvendësues në pozitën e sekretarit të përgjithshëm që nga 2023-ta pavarësisht se maksimalja është dy vjet.
Këtë pozitë e mbante Arben Loshi, i cili u shkarkua më 4 mars të 2026-tës.









