Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dënuar sulmin ndaj ekipit të gazetës Nacionale gjatë protestës së sotme kundër festivalit “DokuFest” në Prizren.
Konjufca ka thënë se pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranueshme si dhe u ka bërë thirrje organeve kompetente që ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësive dhe detyrave të tyre përkatëse.
“Pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranushme. Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri. Media përbën hapësirën dhe mjetin përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike”, ka shkruar Konjufca.