Konjufca ka thënë se për vrasjen e 45 civilëve të paarmatosur askush nuk është dënuar për krimin makabër të kryer në Reçak, shkruan teve1.info
“Epilogu i asaj dite të kobshme: 45 civilë shqiptarë të vrarë e të masakruar, prej tyre edhe fëmijë e pleq. Të gjithë civilë të paarmatosur. Askush në Serbi nuk është dënuar për krimin makabër të kryer në Reçak. Masakra e Reçakut, që tmerroi botën demokratike dhe nxiti intervenimin e NATO-s e dëshmoi projektin gjenocidial të Serbisë ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë”, ka shkruar ai.
Tutje Konjufca tha se lufta çlirimtare kundër Serbisë i kushtoi Kosovës me mbi 15 mijë jetë njerëzish, duke përfshirë burra, gra, fëmijë e pleq.
“Lufta çlirimtare kundër Serbisë pushtuese i kushtoi popullit të Kosovës mbi 15.000 jetë njerëzish, duke përfshirë burra, gra, fëmijë dhe pleq; dhjetramijëra dhunime; qindramijëra shtëpi të djegura e të rrënuara; ndjekje, dëbim masiv e deportim të më shumë se gjysmës së popullsisë, si dhe dëme të pallogaritshme ekonomike e materiale. Ndërsa Kosova, 24 vjet pas mbarimit të luftës, ne ende i kërkojmë mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë nga forcat serbe”, ka shkruar ai.
Më tej, Konjufca tha se gjenocidi në Kosovë ka ndodhur, teksa shtoi se Serbia vazhdon ta mohojë atë dhe të mos kërkojë as falje.
Madje Konjufca, tha se mohimi vjen nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Gjenocidi në Kosovë ka ndodhur, por Serbia vazhdon ta mohojë atë dhe të mos kërkojë as falje. Për më keq, mohimi vjen nga të njëjtit persona me prirje fashiste, dyshja Vuçiq e Daçiq, që edhe gjatë luftës në Kosovë kanë shërbyer si ministra në regjimin e Millosheviqit”, ka shkruar Konjufca.
“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi dhe jemi duke punuar pareshtur që Serbia një ditë të përgjigjet për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë”, shtoi ai./teve1.info