Kongresi Amerikan i ka dërguar mesazh Sekretarit të shtetit të ShBA-ve, Antony Blinken, përmes të cilës i kanë kërkuar që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë. Ka njoftuar kështu përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, deputeti Shaip Kamberi.
Në letrën e kongresistëve, është insistuar që në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, të përfshihet çështja e minoritetit shqiptar, raporton teve1.info.
“Dy javë pas vizitës në SHBA, çështja e Luginës zyrtarizohet në majat e diplomacisë dhe vendimmarrjes politike amerikane! Pak para takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, z. Blinken, pranon mesazh të fuqishëm nga Kongresi Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës! Bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Kongresin e SHBA-ve, Kongresistët Himes dhe Torres, i dërgojnë letër zyrtare Sekretarit Blinken përmes së cilës kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë. Kongresistët i shkruajnë Blinken se “plani i tanishëm 11-pikësh [Propozimi Evropian] nuk përmend askund të drejtat e minoritetit [shqiptar]…dhe ne insistojmë që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen finale.”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Njëherit, kongresistët e kanë përfunduar letrën duke thënë se qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të dialogut./teve1.info/.







