Po vjen këtu për ta mbushur veturën si rregullisht.
Por këtë herë, këtij qytetari po i duhet që të paguajë më shtrenjtë.
Kjo pasi shpërthimi i konfliktit në Lindje të Mesme, ka bërë që çmimi i një litër naftë të rritet.
Për dizell, çmimi varion nga 1 euro e 23 e deri në 1 euro 35 cent, kurse të benzinës nga 1 euro e 24 cent e deri në 1 euro e 34 cent.
Këtë shtrenjtim, po e shohin të pritshëm vetë shoferët.
“Si ka filluar lufta u prit ngritja e çmimit, sidomos në mbylljen e kanalit të Hormuzit, rritet çmimi i naftës, e rriten të gjitha çmimet që vijnë prej prodhimet të naftës”, u shpreh një qytetar.
“Te na nuk ka befasi, gjithçka ndodh e këta e gjejnë gjithmonë një arsyetim, ne kemi dëgjuar para disa ditëve që kanë me u rrit çmimet e naftës sepse ia nisën disa lufta të reja”, ka thënë qytetari tjetër
Ndonëse çmimet janë rritur, vlerësohet se qytetarët nuk kanë nevojë të panikosen.
“Çdo problem në korridorin e Hormuzit, reflektohet në tregjet globale dhe reflekton edhe te ne në Kosovë. Këtë korridor e kanë kaluar me qindra anije në ditë, po tash nuk kalojnë jo më shumë se 4 deri në 5 në ditë dhe ato me rrezikshmëri te madhe. Qytetarët nuk kanë nevojë për panik se derivate në Kosovë ka mjaftueshëm dhe shpresojmë se do të arrihet një marrëveshje paqe dhe do të stabilizohet tregu i naftës në tërë globin”, ka thënë Berjani.
Por si erdhi deri te rritja kaq e shpejt e çmimit të naftës dhe derivateve të tjera?
“Nuk them që kemi mashtrime, por kemi frikë. Për arsye sepse tregjet tona, respektivisht bizneset tona, nuk kanë rezerva të mëdha të naftës, prandaj çdo luhatje reflektohet me shpejtësi të madhe te ne dhe normalisht që ngriten çmimet”, u shpreh Smajli.
Madje sipas Smajlit, shtrenjtimi i këtyre lëndëve të djegies do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve tjera.
“Çdo ngritje e çmimit të naftës është ngritje e zinxhirit të çmimeve të tjera, sidomos produkteve që prodhohen në Kosovë. Kjo sepse procesi i prodhimit, vetë transportit e tjerë janë indikatorë të cilët e shtojnë çmimin, respektivisht, koston e produktit”, ka thënë tutje Smajli.
Pas ngritjeve të çmimeve të derivateve, nga Ministria e Industrisë kanë njoftuar se janë duke monitoruar këtë rritje përmes inspektimeve të përditshme ndaj operatorëve ekonomikë.



