Kompanitë kosovare nuk po arrijnë të regjistrojnë llogari zhvilluese në “Google” dhe “Apple”, si rrjedhoje e mosnjohjes së Kosovës në këto dy platforma.
Me këtë problem po ballafaqohen bizneset e reja nga vendi, të cilat thonë se po penalizohen për plasimin e produkteve të tyre. Në anën tjetër, nga qeveria zotohen se do të ndërmerren masa në këtë drejtim.
Bashkëthemeluesi i kompanisë vendore StarLabs, Darsej Rizaj derisa thotë se kjo çështje është problematike për vendin, kërkon nga të gjitha shoqatat dhe korporatat përgjegjëse të merren më këtë, porse thekson se barra më e madhe bie tek shteti.
“Sot shteti jonë e ka problem që si biznes i ri nuk mundet të regjistrojë llogari zhvilluese as në Google dhe as në Apple, dhe kjo po na penalizon neve si shtet për me pas mundësi si start-up apo kompani prezente me publiku produkte të reja, të plasohen në treg. Kjo sot është problem shumë i madh serioz, diçka që para një vit e gjysmë nuk e kemi pas si problem dhe tash është shpërfaqur dhe kjo çështje e meriton vëmendjen e duhur që me pas mundësi të trajtohet sa më shpejtë…”, thotë Rizaj.
Sipas tij, ky problem duhet të rregullohet sa më parë, për shkak se bizneset humbasin nga mundësia që t’i promovojnë produktet e tyre në këto platforma.
“Gjithsesi që hupin bizneset, penalizohen që nuk mund ta plasojnë produktin e ri, nuk mund ta monitizojnë përmes saj, thjesht je i bllokuar në këtë rast. Është problem që nuk mund të anashkalohet dhe të thuhet se mundemi edhe pa të, por kësaj radhe nuk mundemi pa të”, potencon Rizaj.
Lidhur me këtë problematikë, qeveria është zotuar se do të ndihmojë në rregullimin e kësaj çështje, thotë Rizaj pas një takimi që kishte me një nga këshilltarët e kryeministrit, Albin Kurti.
“Ne kemi pas takim këshilltarin e kryeministrit Kurti, me Lulezon Jagxhiu, dhe kemi pas një bisedë shumë konstruktive dhe është një prej temave që kemi biseduar mjaft mirë është edhe kjo problematikë. Po shihet se ka disponim shumë pozitiv të na ndihmojnë në këtë çështje dhe e jona si komunitet është t’i përgatisim gjitha të dhënat që i nevojiten shtetit që të munden ta adresojnë këtë problem. Edhe ne si komunitet do të reagojmë shpejtë, por besoj se edhe reagimi i qeverisë ka me qenë i shpejtë, por se sa të shpejtë kanë me qenë Google ose Apple mbetet të shihet”, tha ai.
Anën tjetër, Rizaj tregon si mund të përdorin gazetarët inteligjencën artificiale.
“Nëse je duke shkruar ndonjë artikull, mund të ndihmojë për të gjetur shprehjet e duhura, mund të ndihmojë për ta shkruar gjysmën e artikullit, dhe pjesën tjetër të rregullosh vet, varet si i qasen kësaj. Sidoqoftë, mund të gjenerohen fotografitë nëse të mungon që ka të bëjë direkt me temën dhe që në shumë raste, ne sot kërkojmë fotografi në Google, por që tashmë mund ta gjenerojë inteligjenca artificiale pa problem. Mund të ndihmojë të bësh kërkime, shembull nëse ka një numër tepër të madh të dokumenteve, nuk ke nevojë të lexosh komplet, pasi mund të marrë shumë kohë, por mund t’ia kërkosh një informatë shumë specifike të ta gjej, mund të të bëjë analiza të ndryshme të të dhënave dhe të vije në një konkluzion, ta korrigjojë tekstin. Kështu është njëjtë sikurse, gazetari apo çfarëdo lloj profesioni, është njëjtë sikur me pas fuqi të 1 mijë lloj konsulentëve të ndryshme që të japin përgjigje menjëherë”, thotë mes tjerash Rizaj.
Ndërsa, ka përmendur edhe të metat që ka inteligjenca artificiale në aspektin gazetaresk, për çfarë thotë se kjo platformë digjitale mund të ndihmojë të punosh por jo edhe të t’i kryej punët.
“Mund të keqpërdoret në lloj-lloj mënyra, , dhe në aspekt të gazetarisë mund të keqpërdoret nëse dikush mund të pasivizohet shumë dhe veç ta përdorë atë që të gjenerojë përmbajtje që nuk është as etike e as mënyra duhur, është vegle që të ndihmon të punosh dhe jo të t’i kryej punët tuaja”, përfundon Rizaj.
Rizaj në fund thotë se gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale duhet të jemi shumë vigjilent, pasi është shumë e vështirë të vërehet edhe adresa nga vije, dhe mund të ketë raste të hakimit e mashtrimit.