Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e djeshme stërvitjen e parë në kuadër të grumbullimit për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Sylvinho realizoi ushtrime aktivizuese dhe skema tekniko-taktike, ku 20 lojtarë u stërvitën në mënyrë të rregullt, ndërsa Rey Manaj, Mirlind Daku dhe Arlind Ajeti iu bashkuan grupit në pasditen e vonë, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.
Nga dita e sotme do të jenë në dispozicion edhe Cristian Shpendi dhe Enis Çokaj, duke e plotësuar kështu grupin tërësisht.
Kombëtarja shqiptare është duke i zhvilluar përgatitjet në Malaga të Spanjës për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit në udhëtim më 4 shtator.
Ndërsa “kuqezinjtë” më pas përballen ndaj Letonisë më 9 shtator në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
FSHF-ja tutje njofton se biletat për sfidën zyrtare të kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026 mund të blihen online, si edhe në biletarinë fizike që ndodhet në hyrjen qendrore të stadiumit “Air Albania” në Tiranë.