Më 11 janar, e bënë koalicionin për qeverisje të mirë.
Por në ditën e 24-të, bashkëpunimi në Mitrovicë mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës mori fund.
Prishja e koalicionit, sipas të parit të komunës, Faton Pecit, erdhi pasi LDK-ja kërkoi më shumë drejtori sesa që sipas tij e meritojnë, bazuar në rezultatin zgjedhor.
“Qasja ime ka qenë shumë gjeneroze, por nuk mundesh me pretendu me 3 për qind as me qenë nënkryetar i komunës dhe me marrë përgjegjësi më shumë sesa ju takon. Lëre më të kesh pretendime të drejtohesh të gjitha ndërmarrjet komunale, katër prej sosh që i kemi. Nuk mundesh me tre për qind me pretendu me i marrë edhe përgjegjësitë në ekzekutiv, edhe kryesuesin, drejtorët dhe për katër ndërmarrje. Një herë e mirë ne si politikë duhet të edukohemi që kërkesat t’i kemi në proporcion me fuqinë politike që e përfaqësojmë”, ka thënë Peci.
Por një qëndrim krejt ndryshe ka kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli.
Plakolli thotë se u morën vesh ndryshe kur e arritën koalicionin.
“Një pozitë udhëheqëse dhe dy drejtori të një ndërmarrje, kjo ka qenë marrëveshja bazë e asaj mbrëmje. E kemi konstituar Kuvendin, LDK-së i ka taku kryesuesi i Kuvendit dhe kemi ecë pastaj ku kryetari Faton Peci mu ka drejtu me një kërkesë, LDK-së i takon drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtoria për zhvillim ekonomik, nuk janë drejtori që i ka përzgjedhë Gëzim Plakolli apo LDK, por këto iu kanë ofru”, u shpreh Plakolli.
Drejtori aktual për Kulturë, Rini dhe Sport, Plakolli thotë se nuk e përfaqëson LDK-në.
“Kur i kemi pasë diskutimet mrena kryesisë, kur i kemi dërgu emrat ka qenë prezent edhe Gazmend Asllani, ai ka shpreh pakënaqësitë e tij me propozimin që e ka dërgu kryesia e degës por në demokraci vendosin numrat, emrat që i kemi dërgu kanë qenë më shumice të votuar mrena kryesisë dhe më nuk kam pasë asnjë komunikim”, u shpreh tutje Plakolli
Megjithatë, i kontaktuar nga TËVË1, Gazmend Asllani ka hedhur disa akuza për Plakollin dhe disa individë të tjerë brenda LDK-së.
Asllani tha se Plakolli bashkë disa anëtarë të kryesisë të LDK-së në Mitrovicë, po ua imponojnë votimin anëtarëve të partisë.
Akuzat i mohon Plakolli, i cili thotë se për koalicionin me Vetëvendosjen në Mitrovicë, mori dritën e gjelbër edhe nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.
“Unë e kam thirrë mbledhjen e kryesisë edhe kemi diskutu gjërë e gjatë se si të veprojmë, kemi diskutu 2 orë, në mbledhje të kryesisë së degës kanë qenë 25 anëtarë dhe me votim të hapur, 22 anëtarë kanë votuar që të dalim nga koalicioni, 2 kundër dhe një ka qenë abstenim”, theksoj Plakolli.
Për të arritur një dakordim që bashkëpunimi të vazhdoj, Plakolli realizoi gjatë ditës së djeshme një takim disa orësh me kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci. Megjithatë, kompromisi nuk u arrit.



