Ai madje u bëri thirrje edhe veteranëve e familjeve të dëshmorëve që të marrin pjesë në këtë protestë.
“Por të gjykohet lufta jonë çlirimtare, të gjykohen vetëm pjesëtarët e UÇK dhe të mos merret kush me krimet dhe masakrat që i kanë shkaktuar Serbia dhe serbët në Kosovë, është absurditet. Ne kemi mbështetur edhe iniciativën, por ne do ta mbështesim edhe protestën, meqenëse e kemi mbështetur si protestë dhe ju kam bërë thirrje dhe u bëj thirrje veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve që të marrin pjesë në protestën e së shtunës”, tha ai në “Ditari” në Tëvë1.
Ai potencoi se vendimi i Speciales për ta dënuar Salih Mustafën me 26 vjet burgim është vendim politik. Sipas tij, akuzat me të cilat i ngarkojnë prokurorët dhe gjykatësit krerët e UÇK-së, e kanë bazën në Serbi.
“Përveç që ka qenë e njëanshme dhe e kemi kundërshtuar si Gjykatë, ne e dimë që edhe ata prokurorë e gjykatës kanë punuar më herët edhe në UNMIK dhe në EULEX dhe të gjitha akuzat që i kanë ngarkuar dhe i ngarkojnë qoftë krerët e UÇK-së, qoftë komandantët e tjerë, bazën e kanë në Serbinë pushtuese dhe Serbia në bazë të atyre dosjeve që i ka krijuar me dëshmitarët që i ka shantazhuar, i ka kërcënuar, por edhe ka marrë ndoshta edhe ju ka dhënë mito dikujt që të japë dëshmi të rrejshme dhe me këto akuza po shërbehet edhe tash Gjykata Speciale. Me akuza pra, edhe me dosje të Serbisë, siç është shërbyer më herët UNMIK-u dhe EULEX-i”, shtoi ai.
Sot, Partia Socialdemokrate e ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj ka thënë se janë dy nene në këtë Ligj të cilat duhet të ndërrohen sepse siç tha ai, nuk janë në përputhje me Ligjin ndërkombëtarë për krime lufte.
Gjithashtu PSD ka ftuar të shtunën protestë gjithëpopullore në kundërshtim të dënimin nga kjo gjykatë të Sali Mustafës, i cili u dënua me 26 vjet burgim. /Teve1.info/