Përveç Policisë së Kosovës afër qendrës më të madhe të votimit në Zveçan, patrullime është duke kryer edhe KFOR-i, shkruan teve1.info
Po ashtu KFOR-i është duke e monitoruar situatën edhe në Leposaviq.
Kështu kanë bërë të ditur ekipet e Tëvë1 nga terreni, ku janë parë patrullimet e KFOR-it duke e monitoruar situatën.
Ndërsa, më herët Policia e Kosovës, ka njoftuar se, ka mjaftueshëm policë në veri të vendit, teksa thuhej se Policia është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në veri.
Ndryshe, sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, e Zveçan, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 45 mijë e 95, teksa për kryetarë garojnë 10 kandidatë, dhe vetëm një është nga komuniteti serb./teve1.info