Siguria, zhvillimi dhe migrimi do të jenë temat që do të diskutohen në samitin e Procesit të Berlinit, më 22 tetor në Londër.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kësaj radhe nuk do të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje të re sikurse vitet e kaluara, por do të ketë deklarata të përbashkëta në drejtim të tregut të përbashkët rajonal dhe të energjisë.
Ndërkaq, theksi i nikoqirit, Britanisë së Madhe, pritet të jetë te migrimi, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Këto i bëri të ditura për KosovaPress, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Procesi i Berlinit synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes politike, ekonomike dhe teknike nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.
“Javës që vjen, kryeministri do të udhëtojë për në Londër, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. Kësaj radhe është Britania e Madhe ajo që është nikoqire. Temat do të jenë tri: do të jenë siguria, zhvillimi dhe migrimi… Duhet t’i kushtohet rëndësi deklaratave që do të jepen në nivel të nikoqirit pas samitit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat e mbulojnë edhe pjesën e migracionit; Britania e Madhe i ka dhënë theks migrimit në kuptimin edhe të luftimit të krimit, edhe të korrupsionit, krimit të organizuar… Këtu do të jenë disa arritje në ministerialin e Punëve të Brendshme, ndërkaq që në këtë të ekonomisë ka edhe disa, le të themi, deklarata dhe përforcime të tregut të përbashkët rajonal, thellimi i tij në kuptimin e vendimeve të CEFTA-s në pjesën e energjisë, ku do të jetë edhe shqyrtimi i mundësisë së lëshimit të këtyre Green Bonds që njihen për projektet kapitale në fushën e energjisë. Ka edhe veprime të cilat janë të menduara që të sjellin investime në fushën e ekonomisë, direkt, dhe do të ketë edhe një ngjarje gjatë samitit që organizohet nga Agjencia e Britanisë së Madhe. Por, në përgjithësi nuk ka marrëveshje të reja në këtë Samit, siç kemi pasur në tri vitet e fundit. Kështu që nuk do të ketë nënshkrim të marrëveshjeve të reja, por ka shumë të arritura në nivelin e ekonomisë, të punëve të brendshme, të energjisë, në forumin e bizneseve dhe çështje të cilat do ta thellojnë edhe më tepër tregun e përbashkët rajonal”, thekson ai.
Samiti i Procesit të Berlinit vitin e kaluar është mbajtur në Gjermani, ku janë nënshkruar dy marrëveshje për tregtinë e lirë dhe arsimin e lartë.
Zulfaj thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të ngritë në takim edhe moszbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë vetëm me letërnjoftim, ku Bosnja dhe Hercegovina ende nuk po e zbaton të njëjtën.
Sipas Zulfajt, kryeministri në detyrë do të adresojë edhe moszbatimin e marrëveshjes për arsimin e lartë nga Serbia.
“Mosrespektimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftim në Bosnjë dhe Hercegovinë sigurisht që do të ngritet edhe në Samit si moszbatimi i marrëveshjeve që i kemi nënshkruar, por edhe në marrëveshjen për institucionet e arsimit të lartë dhe njohjen e profesioneve. Të gjitha këto marrëveshje janë të lidhura ngushtë me mobilitetin e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Aty janë të lidhur drejtpërdrejt jo vetëm studentët, por edhe punëtorët. Ne në këtë samit po shohim që të kemi edhe një deklaratë të përbashkët për lëvizshmërinë e sigurimeve shoqërore, në kuptimin që punëtorët që lëvizin mund ta bartin me vete edhe sigurimet shëndetësore dhe ato të punës, mirëpo për të arritur atje, na duhet së pari që të kemi zbatim të marrëveshjes për lëvizjet e lira, për arsimin, për njohjen e arsimit të lartë dhe për profesionet”, shton ai.
Zulfaj flet edhe për vizitën që ditë më parë e kishte në Kosovë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai deklaron se shefes së BE-së i është kërkuar më shumë përpjekje për t’ia dhënë Kosovës statusin vend kandidat.
Krahas kësaj, Zulfaj dha detaje edhe për kërkesën drejtuar BE-së për dialog strategjik.
“Kosova është e vetmja nga të gjitha shtetet me potencial që ishin për kandidatë, e cila nuk e ka marrë ende statusin kandidat dhe ky është fillimi i procesit. Prandaj, theksi ka qenë që duhet të ketë më shumë përpjekje nga ana e institucioneve të BE-së me presidenten Von der Leyen, e cila është presidente me ndikim, dhe që të binden shtetet anëtare, sepse detyrat janë të ndara. Kosova duhet t’i përmbushë detyrat e shtëpisë në kuptimin e reformave. Ndërkohë që kur të vijë çështja te vendimmarrja, BE-ja duhet t’i marrë vendimet e saj. Për momentin tek pyetësori jemi aty dhe mendoj që këtë çështje e kemi, kjo çështje është shtruar në takim që të ketë lëvizje përpara. Janë dhënë tri dokumente për një dialog strategjik, të cilin vetë BE-ja e ka nisur me Ballkanin Perëndimor. Ne i kemi vendosur tri fushat: sektorin e teknologjisë informative, të bujqësisë dhe të mbrojtjes. Këto janë tri fusha në të cilat ne shohim përparësi krahasuese me rajonin, në kuptimin që duam të investojmë shumë më shumë dhe për shkak se kemi sidomos një rini të talentuar si forcë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik”, thekson ai.
Duke folur për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Zulfaj thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i heqë të njëjtat në tërësi.
BE-ja ka vendosur masat ndaj Kosovës në vitin 2023, pas tensioneve në veri.
Në qershor të këtij viti, Unioni Evropian ka vendosur për largim gradual të masave.
“Ne kemi kërkuar heqjen e tërësishme të masave, në mënyrë që të mos mbetet si imazh i keq për vendin. Lehtësia me të cilën janë vendosur nuk po rezulton me vendimmarrjen e njëjtë për t’i hequr ato. Ndërkohë që kushtet, apo le të themi kriteret që kanë qenë për vendosjen e masave, janë adresuar para shumë kohësh. Nuk ka pasur dilemë që kryetari i komunës, bashkë me zgjedhjet, qysh atëherë… Kështu kanë qenë edhe katër kryetarët në veri, të cilët u zgjodhën me pak vota për shkak të bojkotit nga komuniteti serb. Kështu ndodh edhe tash – pra, nuk mund të bëhesh kryetar ndryshe pos me zgjedhje. Çdokush që ka dyshuar, mendoj që ka qenë dyshim i pabazuar. Masat janë hija e këtij dyshimi, i cili ka qenë komplet i pabazuar, por një nguti e Bashkimit Evropian për t’i vendosur shpejt, e që tash po kanë problem me vendimmarrjen përbrenda për t’i hequr. Por mendoj që si institucione dhe si shoqëri duhet të përsërisim kërkesën dhe të shtrojmë edhe presionin ndaj Bashkimit Evropian që të kryejë detyrat e saj”, përfundon Zulfaj.