Zërat që thonë se shteti duhet të marrë përsipër pagesën e plotë të pushimit për lehonat janë shtuar. Nga shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit janë të bindur se kjo do të ndikonte në rritjen e natalitetit në vend, i cili prej vitesh në bazë të statistikave zyrtare është në trend ulës. Ndërsa, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se është duke u punuar në përmirësimin e Ligjit të punës, por nuk thonë se në çfarë faze është aktualisht.
Me Ligjin aktual të punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj. 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.
Besa Luzha nga shoqëria civile, pjesë e studimeve të ndryshme mbi rregullimin e pushimit të lehonisë, deklaron se është urgjente që kjo çështje të rregullohet në mënyrë që shteti të lirojë bizneset nga obligimi për të paguar gratë lehona.
“Gjatë tri viteve të fundit kemi punuar shumë me organizatat e shoqërisë civile dhe kemi ardhur në konkludim pas shumë studimeve se mënyra e rregullimit të pushimit të lehonisë, të cilën barra i është lënë bizneseve dhe jo shtetit si në të gjitha vendet, po e krijon një situatë, në të cilën ose bizneset, sidomos sektori privat nuk po i punësojnë gratë e reja që janë në moshën për lindje, që janë ose nëse po i punësojnë, kur po e kuptojnë që janë para se të dalin në pushim të lindjes, po gjejnë mënyra prej atyre të ligjshme deri tek ato të paligjshme, me presione të ndryshme, me të cilat po i detyrojnë vetë ta lënë punën… Në vend se ato të shpërblehen për shtimin e popullsisë që është problematikë në të gjitha vendet e rajonit, ato po ndëshkohen për shkak se po krijojnë familje, kjo është situatë absurde”, thotë Luzha.
Gjatë një studimi që kanë realizuar me gratë e Kosovës, me pyetjen se “çfarë është më e rëndësishme për ju në jetë”, Luzha thotë se 90 për qind e përgjigjeve kanë qenë e të pasurit fëmijë. Pra, siç thotë ajo, është vetë interesimi i grave që të bëhen nëna, porse nuk ka politika të mira sociale.
Luzha thekson se këto rekomandime janë adresuar edhe në takime me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Fakti që nuk ka pasur asnjë lëvizje pozitive, Luzha mendon se është për shkak të idesë së Qeverisë që të ndryshohet i tërë Ligji i punës, por që çështja e lehonave kërkon një reagim të shpejtë.
“Ne kemi pas biseda edhe me ministrin Hekuran Murati disa herë në takime dhe ai është shprehur i gatshëm dhe ka thënë që edhe kosto nuk është e lartë. Por, më duket se vonesa është për shkak se është ideja të ndërrohet komplet Ligji i punës, edhe në disa fusha të tjera. Aty nuk jemi pajtuar, sepse ne kemi kërkuar që kjo të ndryshohet pjesa e lehonisë me amendament urgjentisht, kurse ata e kanë idenë që ta vazhdojnë ndryshimin e komplet Ligjit të punës edhe në bazë të kritereve të tjera të standardeve evropiane, por që ajo mund të merr shumë kohë, edhe për disa vite…Sepse ne, nëse presim edhe disa vite, kjo situata me gratë e punësuara, sidomos ato lehona, po është shumë shqetësuese”, thotë Luzha.
Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Zana Beqiri deklaron se DHTIK-ja ka dërguar disa ankesa që tashmë janë të njohura edhe për Qeverinë sa i përket kësaj çështje, mirëpo shtoi se nuk kanë marrë përgjigje deri më tani.
Beqiri konsideron se shteti duhet të marrë përgjegjësi që të paguajë gratë lehona dhe jo punëdhënësit.
“Ne si Dhomë e Tregtisë kemi dërguar disa ankesa ku tashmë janë të njohura edhe për Qeverinë e Kosovës, sepse ne konsiderojmë se Ligji për punën duhet të ndryshojë e posaçërisht kjo pjesë (çështja e pagesës së lehonisë). Sepse ngarkesa më e madhe i bie punëdhënësit, gjë që nuk do duhej të ndodhte, por do duhej që shteti të merr përgjegjësitë e veta. Në kushte të tilla, kjo sjell një ngecje në përparimin e pozicionit të gruas në tregun e punës, sepse sot një punëtore e gjinisë femërore i kushton tek një biznes më shumë nëse e konsideron me shumen që paguhet, sesa një punëtor i gjinisë mashkull. Kjo automatikisht e sjell një ngecje në ngritjen e pozicionit të gruas në Kosovë… Kjo ndikon edhe në zvogëlimin e natalitetit që tregon edhe me shifrat e viteve të kaluara që ka rënë drastikisht”, thotë Beqiri.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, e cila së fundmi është bërë nënë për herë të dytë, thotë se do të ishte shumë pozitive nëse shteti merr përsipër pagesën e plotë të lehonisë.
Ajo shprehet se Qeveria është duke punuar në ndryshimin e ligjit në tërësi.
“Është shumë pozitive kur shteti merr perisper, qoftë edhe të plotë (pagesën), pra atë që ka pas deri më tani punëdhënësi, që ta marrë përsipër shteti, ta bëjë këtë pagesë. Kjo do të ndikonte edhe në punësimin e grave dhe në komplet përvojat e tyre. Qeveria aktuale tashmë është duke punuar në ndryshimin e ligjit në tërësi ku do ta trajtojë këtë pjesë, dhe mezi presim që të vijë edhe në Kuvend”, thotë Kurti.
Qeveria e Kosovës më 2021 ka prezantuar masën për lehonat që kishin një vit të papuna të paguheshin për 6 muaj me nga 170 euro, edhe pse sipas premtimit të fushatës zgjedhore duhej të ishte 250 euro. Me të njëjtën shumë, prej 170 eurosh, për 3 muaj është vendosur të paguhen edhe lehonat e tjera. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 gusht të vitit 2021.
Komuna e Prishtinës është ndër të pakta institucione komunale që ka marrë vendim që të mbështesë me 500 euro si ndihmë të menjëhershme, gratë lehona në kushte më të vështira financiare.
Koordinatori në Drejtorinë e Mirëqenies në kryeqytet, Premtim Fazliu derisa tregon për procedurën e aplikimit, shprehet se këtë vit deri më tani janë 22 gra përfituese të kësaj ndihme.
“Kriteret janë të thjeshta, duke qenë që minimalisht duhet nëna, e cila lind të jetë pjesë e skemës së ndihmës sociale, të jetë banore rezidente e Komunës së Prishtinës, dhe pastaj dokumentet e tjera përcjellëse që janë kryesisht dhe me përmbledhjen e këtyre dokumentacioneve e bëjnë aplikimin pranë Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe kësisoj ne i përfundojmë si dokumentacion dhe shqyrtohen nga komisioni përkatës për t’i hapur rrugë pastaj edhe subvencionimit prej 500 euro, si ndihmë e menjëhershme për to… Në ndërkohë, këtë vit deri tani kanë qenë 23 aplikime, prej tyre 22 janë aprovuar dhe një është refuzuar në mungesë të plotësimit të dokumentacionit, që për statistikë ka qëlluar që pala e cila ka aplikuar ka qenë e një komune tjetër”, thotë Fazliu./KP/