Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që i mituri B.M. i cili dyshohet se kishte përgatitur sulm terrorist në Pejë, të dërgohet në Institucion edukativ-korrektues, raporton teve1.info
Sipas komunikatës, pas procedurës përgaditore ndaj të miturit B.M. Prokuroria ka propozuar shqiptimin e masës institucionale edukative për shkak të veprës penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas përfundimi të procedurës përgatitore ndaj të miturit B.M, ka ngritur Propozim shqiptimin e masës institucionale edukative, Dërgimi në Institucionin Edukativo-korrektues, për shkak të veprës penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komuniiatë.
I mituri B.M. nga Peja ishte arrestuar në muajin tetor nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Atij i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me dyshimin se kishte planifikuar t’i vrasë disa nxënës të gjimnazit të Pejës.







