Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se kërkesa për dërgimin e FSK-së në veri pas sulmit terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër – Lepencit , është bërë për shkak të sulmit në infrastrukturën kritike dhe pasojave që ka mundur të shkaktojë ky sulm.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ai ka treguar se për këtë ka pasur një komunikim ndërmjet kryeministrin Kurti dhe komandantit të KFOR-it, ku ky i fundit sipas Maqedoncit ka paraqitur një planë të tij për rritjen e prezencës së KFOR-it dhe Policisë së Kosovës atje.
“Në gjitha rastet kur cenohet siguria në veri të vendit, FSK përmes Ministrisë së Mbrojtjes, shpesh edhe përmes kryeministrit ka paraqitur kapacitetet e saja për ta ndihmuar Policinë e Kosovës me qëllim të menaxhimit të situatës. Normalisht, pse ishte me fokusuar dhe e theksuar kërkesa e prezencës së FSK-së pas këtij sulmi ka qenë për shkak të gamës së gjerë që ka mundur të shkatojë pikërisht sulmi. Komandantit i KFOR-it ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës për këtë dhe ka paraqitur planin e tij që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të shtojnë prezencën në veri të vendit”, tha Maqedonci.
Ai ka mohuar se kërkesa është bërë për fushatë elektorale, kur është pyetur për akuzat e opozitës.