Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gëzim Kasapolli ka thënë se veprimet e Qeverisë Kurti në veri të vendit kanë qenë populizëm.
Ai ka thënë se pas tri vjetësh atje situata është kthyer ku ka qenë.
Për veprimet që Ekzekutivi thotë se ka marrë duke shtrirë ligjshmërinë e mbyllur strukturat paralele, Kasapolli në emisionin “InfoNata” në Tëvë1 ka thënë se në këtë pjesë ende qarkullon dinari dhe se zyra postare e Serbisë është hapur 83 metra larg asaj që ka qenë dikur.
“Përveç dy organizatave terroriste, këtu flitet për mbyllje të zyrave postare. Unë isha dhe e pash, 83 metra larg është hapur zyra postare tjetër. Nëse thoni që nuk përdoret dinari në Mitrovicë, unë them, ju lutem shkoni dhe shikojeni. Të gjitha këto kanë qenë në sferën e populizmit të z.Kurti dhe tani jemi kthyer jo në pikën zero për në minus një”, ka thënë Kasapolli në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, ka thënë se Kosova kurrë s’ka qenë më keq në politikën e jashtme.
Ai ka thënë se Kurti e Gërvalla kanë qenë të padëshiruar.
Kasapolli ka thënë se heqja e masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian nuk është meritë e punës së Kurtit.
Sipas tij, ky vendim ka ardhur nga vet BE pasi siç ka thënë ai, nëse nuk do të ndodhte tash do të shtyhej edhe për dy vite.
“Kjo është koha kur ato masa duhet të hiqen për shkak se afati tjetër kohor do të ishte pas dy vitesh, për shkak të infrastrukturës së Bashkimit Evropian dhe kjo është arsyeja pse është vendosur në këtë kohë. Nuk është dëshmi e punës e as të aftësive të z.Kurtit. Nuk është meritë e z.Kurti dhe LVV-së, është faj. Dhe ajo çka ka ndodhë në vitin 2025 është se BE dhe ShBA kanë personalizuar fajin dhe ai është z.Kurti”, ka thënë ai.








