Një instruktore e një atu-shkolle në Ferizaj është gjobitur nga Policia e Kosovës, pasi shoferja e cila ishte duke kryer ushtrime, gjatë vozitjes ka përdorur telefonin.
“Gjatë lëvizjes, kandidatja është kapur në flagrancë duke përdorur telefonin celular, gjë që përbën kundërvajtje sipas Ligjit Nr. 05/L-064 për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 54, paragrafi 2.Për shkak se instruktorja është përgjegjëse për veprimet e kandidatit gjatë ushtrimeve, ndaj saj policia ka shqiptuar gjobë në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186, neni 231, paragrafi 9.2, në vlerë prej 200 euro, me 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik për tre (3) muaj”, thuhet nga Policia.
Sipas PK-së instruktorja në fjalë ka qenë e evidentuar edhe më parë për kundërvajtje të përdorimit të telefonit, duke vepruar për herë të dytë në kundërshtim me ligjin e trafikut rrugor.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 14 gjoba kundërvajtësve ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.