Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari para fillimit të seancës së sotme ka ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultim.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj pas dështimit të seancës ka njoftuar se Dehari iu ka kërkuar atyre që të pranojnë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të mbajtur seancat konstituive një herë në javë.
Kadrijaj ka thënë se një gjë e tillë është refuzuar nga opozita pasi sipas tyre është në kundërshtim me Kushtetutën e cila përcakton që këto seanca të mbahen çdo 48 orë.
“Po përsëritet skenari i njëjtë. Ishte një kërkesë e kryesuesit të seancës që të konsultohemi që seancat të mbahen cdo javë. Natyrisht që u refuzuan nga të gjitha partitë opozitare për shkak se është shkelje e Kushtetutës se me Kushtetutë thuhet që cdo 48 orë andaj ne nuk e pranuam”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo tutje ka ironizuar me kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun duke thënë se do të duhej të propozohej për çmimin Nobel ‘për dështimet e njëpasnjëshme’.
“S’po di veç me propozu për Çmim Nobel Albulena Haxhiun edhe pse Çmimi Nobel është për të arriturat dhe sukseset në ndonjë fushë apo lëmi, e tash veç me propozu për Çmim Nobel për dështimet e njëpasnjëshme me plot seanca dhe vazhdimi i Lëvizjes Vetëvendosje me të njëjtin kandidat”, ka deklaruar ajo.
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të hënën ka dështuar për të 18-ën herë radhazi, ndërsa seanca tjetër do të mbahet të mërkurën në orën 10:00.