Nga Prokuroria Speciale në Hagë, për herë të dytë që nga themelimi janë dorëhequr kryeprokurorët. Për dorëheqjen e Jack Smith nga kjo pozitë, po kërkohet hetim i veprimtarisë së tij. Derisa për Organizatat e dala nga lufta, dorëheqja nuk ishte çudi.
Pas afro katër vitesh në krye të organit akuzues në Hagë, Jack Smith dha dorëheqje.
Nga hetimi i pretendimeve për krime lufte në Kosovë, ai u angazhua nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, për hetime të ish presidentit, Donald Trump.
Sipas Organizatave të dala nga lufta, Smith dha dorëheqje pasi e ka parë që nuk ka bazë për ndjekje të krimeve të luftës në Kosovë.
Hetim të Smith për veprimtarinë e tij në Speciale, ka kërkuar KMDLNJ.
“Në kohën kur të krijohen rrethanat normale për një hetim të pavarur, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht, do të krijohen edhe kushtet për përcaktimin e përgjegjësisë për këtë Prokrust të drejtësisë i cili, jo që nuk bëri asgjë për hetimin se si u realizua rrjedhja e dokumenteve të ndjeshme nga tavolina e zyres së tij por se duket, me mosveprim ka penguar këto hetime”, thonë nga KMDLNJ.
Tani, Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të jetë me ushtrues detyre, Alex Whiting, por që do të ketë kompetenca të plota.
Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt. Midis vitit 2002 dhe 2007, z. Ëhiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ku ka qenë kryeprokurori i çështjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiq dhe Dragomir Millosheviq”, thonë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Kjo është hera e dytë nga gjashtë vite ekzistim të Speciales, që japin dorëheqje prokurorët nga posti i Kryeprokurorit të Specializuar.
Kronika e realizuar nga gazetarja Florijeta Dernjani.