Ndërsa një armëpushim i brishtë hyri në fuqi në Gaza këtë muaj, Izraeli nisi më shumë sulme ajrore në Libanin jugor – 11 muaj pas fillimit të një armëpushimi atje.
Bombardimi i një biznesi të pajisjeve të ndërtimit vrau një kalimtar sirian, plagosi shtatë persona , përfshirë dy gra, dhe shkatërroi buldozerë dhe ekskavatorë me vlerë miliona dollarë.
Sulmet e 11 tetorit do të ishin një anomali në shumicën e vendeve që nuk janë në luftë. Por sulmet pothuajse të përditshme izraelite janë bërë normaliteti i ri në Liban, gati një vit pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA- të ndaloi konfliktin e fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Disa shohin një plan të mundshëm për armëpushimin në Gaza, me konflikte të vazhdueshme, por me intensitet më të ulët. Të dielën, Izraeli goditi Gazën pasi tha se Hamasi qëlloi trupat e tij, në provën e parë të madhe të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Mona Yacoubian, drejtoreshë e programit të Lindjes së Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, e përshkroi skenarin e Libanit si një “zjarr më të vogël” dhe jo si një armëpushim.
Libani “mund të shërbejë si model për Gazën, duke u dhënë në thelb liri veprimi forcave izraelite për të sulmuar sa herë që e gjykojnë një kërcënim pa një rifillim të plotë të konfliktit”, tha ajo./AP