Izraeli ka mbyllur të vetmin kalim kufitar midis Bregut Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli, dhe Jordanisë fqinje, duke i ndaluar më shumë se dy milionë palestinezë të udhëtojnë jashtë vendit.
Autoriteti izraelit i aeroporteve, që menaxhon kalimin e urës Allenby, njoftoi se ky kalim do të jetë i mbyllur për një kohë të pacaktuar duke nisur nga mëngjesi i së mërkurës, “me udhëzimin e udhëheqjes politike”. Ai nuk dha ndonjë arsye për këtë vendim.
Kjo mbyllje ka bllokuar shumë palestinezë në Bregun Perëndimor, të cilët nuk mund të vazhdojnë udhëtimet e planifikuara jashtë vendit, ndërsa ata që ndodhen jashtë nuk kanë mundur të kthehen në shtëpi, ka raportuar BBC.
Vendimi vjen pak ditë pasi dy ushtarakë izraelitë u qëlluan për vdekje pranë kalimit nga një person i armatosur jordanez, i cili u vra në vendngjarje. Kalimi u mbyll për një periudhë të shkurtër pas këtij incidenti, por më pas u riaktivizua.
Politikani i njohur palestinez Mustafa Barghouti i tha BBC-së se ky është një “lëvizje e rrezikshme” që nënkupton “burgosjen” e njerëzve në Bregun Perëndimor dhe “privimin e tyre nga e vetmja rrugëdalje”.
Kalimi, i njohur edhe si Ura e Mbretit Hussein, ndodhet rreth në mes të rrugës midis Amanit dhe Jerusalemit dhe është pika e vetme zyrtare e kalimit mes Bregut Perëndimor dhe Jordanisë dhe gjithashtu përbën të vetmen pikë hyrjeje në Bregun Perëndimor që nuk kalon përmes Izraelit.
Shumica e palestinezëve në Bregun Perëndimor nuk lejohen të udhëtojnë përmes aeroporteve izraelite ose kalimeve të tjera kufitare të Izraelit, çka bën këtë urë një lidhje thelbësore me botën e jashtme.
Jordania është vendi ku jetojnë mbi 2 milionë refugjatë palestinezë të regjistruar, dhe më shumë se gjysma e popullsisë së saj prej mbi 11 milionë banorësh është me prejardhje palestineze.
Izraeli ka kontroll mbi anën e tij të urës që nga Lufta Gjashtëditore e vitit 1967, kur mundi disa shtete arabe, dhe në të kaluarën e ka mbyllur këtë kalim përkohësisht gjatë festave fetare ose për arsye sigurie.