Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar rivitalizim të pazarit të vjetër të kryeqytetit dhe kthimin në jetë të tij me projekte konkrete për rregullim të infrastrukturës, funksionalizim të tregut, dhe promovim turistik.
Ismaili është zotuar se pas 12 tetorit, Prishtina funksionale do të jetë një kryeqytet i shpresës, punës dhe strategjisë së mirëfilltë të zhvillimit.
“‘Turistët vijnë çdo ditë, por s’kemi çka t’u tregojmë’. Këto fjalë i dëgjova sot nga një tregtar në Pazarin e Vjetër të Prishtinës. E pabesueshme që kjo zonë e rëndësishme ekonomike dhe historike e kryeqytetit është në gjendjen e mjerueshme ku është sot: e braktisur, e vjetërsuar, me mungesa bazike të sigurisë dhe pa kushtet minimale për punë. Me mua si kryetar, Pazari i Vjetër i Prishtinës do të rivitalizohet dhe do të kthehet në jetë me projekte konkrete për rregullim të infrastrukturës, funksionalizim të tregut, dhe promovim turistik. Prishtina funksionale do të jetë një kryeqytet i shpresës, punës dhe strategjisë së mirëfilltë të zhvillimit, dhe atë do ta sjellim bashkë pas 12 tetorit”, ka shkruar ai në Facebook.