Në fillim të korrikut, Drilon Islami kaloi te Cluji rumun nga Prishtina. Mesfushorit i përfundoi kontrata me Prishtinën dhe iu bashkua Clujit për një vit, si lojtar i lirë.
Në elitën e futbollit rumun janë luajtur plot nëntë xhiro, por Islami nuk ka debutuar ende.
Islami nuk bën pjesë në planet e klubit rumun ani pse e transferoi në afatin kalimtar të verës.
Mediumi rumun “gsp.ro” ka raportuar të hënën se Islami po refuzon që ta shkëpusë kontratën para kohe me Clujin. Kontratën po refuzon që ta shkëpusë edhe Alessandro Micai.
“Ata kanë oferta, ka interesim, por nuk duan ta ndërpresin kontratën”, ka thënë një burim brenda klubit të Clujit.
25-vjeçari Islami nuk figuron as në mesin e lojtarëve të prezantuar në faqen zyrtare të klubit rumun.
Javë më parë u raportua për një transferim të mundshëm të Islamit te Ballkani i Suharekës.