Lotët nuk i janë tharë që afër tri dekada.
Por këtë të shtunë, dhimbja i është shtuar edhe më shumë.
Nga malli që ka për të bijën, në 28-vjetorin e vrasjes së saj nga forcat serbe, Mihane Morina po qëndron te varri i saj.
Asokohe, kur ushtarët serbë rrethuan fshatin Qirez e Likoshan, e bija e Mihanes, Rukija, ishte ndër të parat që u vra.
Atë kohë, Rukija kishte qenë shtatzënë në muajin e shtatë.
“Veç kur janë ardh fëmija na kanë thonë e kanë vra. Burri ka ardh e ka këqyr. Në kry i kanë ra ata. Qiken e ka pas në krah, djalin pesë vjet”, thotë nëna e Rukijes.
Në momentin kur e vra Rukija, nëna Mihane, tregoi se ajo ishte duke bërë ushqim.
“Tu i pjek bukët, mrena ma kanë vra. Tani edhe kunatin e kanë vra mrena në dhomë, burrin pak ma larg e kanë vra, në fusha. Pa dy prind janë rrit, çika dy vjet e gjysmë, djali pesë vjet” , shprehet Mihane Morina.
Këtë përvjetor, lehtë nuk po e kalon as Ganimete Gjeli.
Ajo tregon momentin kur bashkëshorti i saj, bashkë me babanë, kishin marrë pushkën në dorë, për t’i dalë zot vendit.
“Këta dy babë e bir, sot para 28 vjete kur jemi rrethu prej forcave serbe, nuk e kanë prit minutën e kanë dhonë betimin para kohës, para pushkes se e kem amanet me e rujt pragun e derës”, shprehet gruaja e Naser Gjelit.
E një amanet, ata ia kishin lënë edhe Ganimetes, pak para se të dilnin nga shtëpia.
“Kur ka ardh momenti që u dasht me kap pushkën burri dhe vjehrri e kanë kujtu luftën e mëparshme të kohës së Drenicës. Po se pate një pushkë, kape sakicën dhe dili serbit përpara, se nuk na ka ardh serbi me lula. Amanet o fisnike kofsh e zoja lufto, mos kofsh e zoja me luftu më tha mu më ka ardh koha me i qit serbit pushkë”, thotë ajo.
Të 26 të vrarët në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, ishin varrosur në një fushë pranë dy fshatrave.







