Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa ushtarake në një vend, kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij shteti, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Ai thekson rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në Kosovë që në mënyrë SHBA-ja të mbahet e angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale.
“Trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë”, thotë Shea në një intervistë për KosovaPress, duke theksuar se nuk pret që presidenti amerikan të tërheqë trupat nga Evropa. Aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë.
KFOR-i në Kosovë – që është garantuesi i tretë – i ka rreth 4.600 pjesëtarë, prej tyre 600 janë trupa amerikane.
Shea shpjegon se numri i forcave amerikane në Kosovë nuk paraqet barrë për buxhetin e Pentagonit por promovon nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti.
“Sigurisht, prania amerikane është e rëndësishme. E dini, NATO, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe evropianët, realizuan fushatën ajrore në vitin 1999. SHBA-ja dhe Evropa punuan së bashku për të sjellë paqe në Bosnje e Hercegovinë pas vitit 1995. Dhe, sigurisht, KFOR-i ka qenë aty tashmë për më shumë se një çerek shekulli. Kështu që ka qenë një histori e madhe suksesi për shkak të këtij partneriteti transatlantik. Kur e konsideroni zhvendosjen e forcave amerikane në mbarë botën, në Korenë e Jugut, në Japoni, në Filipine, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, dhe sigurisht, në Evropë, numri në Kosovë është i vogël. Është shumë, shumë i vogël. Nuk është një barrë e madhe për buxhetin e Pentagonit. Por promovon një nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti dhe parandalimi gjithashtu, duke parandaluar agresionin kundër Kosovës. Prandaj, shpresoj shumë që ato forca amerikane të mbeten”, thotë ai.
Diskutimi rreth trupave amerikane në Evropë është rritur në fillim të këtij viti pasi zyrtarë të lartë në administratën e re në SHBA u bënë thirrje evropianëve që të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me deklarata të tillë që evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në Evropë të zgjasë përgjithmonë.
“Dhe për NATO-n, po, ka disa njerëz, jo shumë në qeveri, por në lëvizjen më të gjerë të Trumpit që janë skeptikë ndaj NATO-s. Por deri tani, presidenti Trump nuk ka bërë thirrje për të braktisur NATO-n. Ai ka qenë kritik ndaj aleatëve që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje, sipas mendimit të tij, dhe ai ka bërë disa komente herë pas here që ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë ata aleatë që nuk shpenzojnë 2% të PBB-së për mbrojtje. Por sot, 23 nga 32 aleatët shpenzojnë 2% ose më shumë për mbrojtje, dhe ky numër do të rritet. Kështu që mendoj se presidenti Trump do të mbrojë së paku shumicën e aleatëve të NATO-s, sepse shumica e aleatëve të NATO-s do të përmbushin objektivin e shpenzimeve”, thotë ai.
KFOR-i operon në Kosovë prej qershorit të vitit 1999 dhe prezenca e këtij misione ishte rritur pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, më 2023 – kur grupe serbe të financuara nga Beogradi sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Një vit më vonë, në fund të vitit 2024, serbët sulmuan edhe infrastrukturën kritike të Kosovës.
Duke folur për këto zhvillime, Shea nuk sheh mundësi për një konflikt të ri por thotë gjithmonë ekziston rreziku i incidenteve.
Andaj sipas tij, është shumë e rëndësishme të KFOR-it të punojë ngushtë me Policinë e Kosovës.
“Nuk e shoh mundësinë për një konflikt të ri. Por gjithmonë ekziston rreziku i disa incidenteve siç ndodhi me Banjskën, sigurisht, disa vite më parë, që ishte një incident i tmerrshëm. Dhe këto incidente, sigurisht, mund të shpërthejnë dhe të dalin jashtë kontrollit. Kjo është e vërtetë. Dhe kemi parë demonstrata dhe trazira në veri. Ka njerëz që, sigurisht, duan të nxisin probleme, kur bëhet fjalë për tabela regjistrimi ose zgjedhje komunale, ose rolin e dinarit në ekonominë e Kosovës, ata shohin një pretekst për të nxitur probleme. Kështu që mendoj se ky është një skenar shumë i mundshëm, fushata dezinformuese, propaganda dhe incidente. Dhe mendoj se është e rëndësishme, që KFOR-i të punojë shumë ngushtë me forcat e sigurisë të Kosovës, me policinë e Kosovës, për të pasur informacione të mira për të parashikuar këto incidente, për të monitoruar kufirin shumë me kujdes”, thotë Shea.
Se NATO-ja është e gatshme t’i përgjigjet zhvillimeve të sigurisë në Kosovë, e tha edhe Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte gjatë vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar.
Nga politikanët, ai kërkoi fleksibilitet dhe kompromise në dialogun Kosovë-Serbi.
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea thotë se nuk është e qartë se sa do të ketë Kosova prioritet në agjendën e Shtëpisë se Bardhë.
Por, ai porosit që Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të mira me administratën Trump.
“Sigurisht, do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë prioriteti do të ketë Kosova në administratën e tanishme. Trump është gjithashtu i angazhuar me Kinën, me Rusinë, me Ukrainën. Dhe gjatë fundjavës, natyrisht, ishin sulmet ajrore amerikane ndaj Jemenit në Lindjen e Mesme. Kështu që nuk është shumë e qartë se sa do të ketë prioritet, jo vetëm Kosova, por edhe Evropa në përgjithësi, në agjendën e Shtëpisë së Bardhë. Por duhet të imagjinoj se Trump nuk do të ketë harruar që ai ishte i interesuar për Kosovën herën e kaluar. Ai pëlqen të shfaqet si një pajtues, njeriu që mund të zgjidhë konflikte të vështira që presidentë të tjerë, njerëz të tjerë nuk mund t’i zgjidhin. Dhe sigurisht, do të duhet të presim dhe të shohim. E kam thënë në intervista të mëparshme që mendoj se është e rëndësishme që Kosova të krijojë marrëdhënie të mira me njerëzit në administratën Trump”, thotë Shea.
Shea thekson se Trump ka ndikim që t’i kthejë në tryezë liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë.
“Për t’i bërë ata jo vetëm të bëjnë marrëveshje të reja, por të zbatojnë – natyrisht Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të Ohrit – marrëveshjet që tashmë janë arritur dhe kjo do të na çonte përpara me një hap të madh”.
Shea thotë se integrimi evropian i Kosovës është i domosdoshëm.
“Është mirë që Peter Sorensen [emisari i BE-së për dialog] është aty. Sigurisht, ekziston një bazë që është krijuar nga Miroslav Lajçak mbi të cilën mund të ndërtojmë. E përmenda marrëveshjen e Ohrit. Ka shumë elemente ku kemi, në parim, marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për të ecur përpara, diçka si transporti, kufijtë, çështjet financiare dhe të tjera. Dhe nëse mund të arrinim një marrëveshje për zbatimin e këtyre gjërave, pa shpikur domosdoshmërisht marrëveshje të reja, do të ishim shumë përpara. Pra, kur keni mundësinë për të bërë një rifillim, shfrytëzojeni”, thotë Shea.
Përveç aspiratave për anëtarësim në Bashkim Evropian, Kosova synon të bëhet edhe pjesë e NATO-s.
Ky proces nuk është fare e lehtë derisa ka vende anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Jamie Shea, i cili ishte zëri i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, shpreson që aleanca të thellojë partneritetin me Kosovën.