Debati mbi kërkesën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë për dënime që në total arrijnë në 180 vite burg për ish-udhëheqës të UÇK-së ka nxitur reagime të forta në Kosovë dhe Shqipëri. Në një prononcim për Top Channel lidhur me këtë çështje, ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, e cilësoi aktakuzën si të padrejtë dhe hodhi poshtë pretendimet se po ndryshohet historia e luftës çlirimtare.
Meidani, i cili drejtoi Shqipërinë gjatë viteve 1997–2002, përfshirë periudhën e luftës në Kosovë, deklaroi se “është një vendim akuze i turpshëm deri në zhgënjim”, por shtoi se historia e luftës nuk mund të tjetërsohet.
“Është e pamundur të ndryshojë narrativa e vërtetë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe e komunitetit ndërkombëtar që dha kontribut të madh për të ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës për të fituar lirinë”, u shpreh ai.
Sipas tij, qasja aktuale e Gjykata Speciale nuk përputhet me qëndrimin që, sipas tij, opinioni ndërkombëtar kishte gjatë viteve të luftës.
“Absolutisht, i gjithë opinioni ndërkombëtar ishte në favor të popullit shqiptar të Kosovës dhe kundër revanshizmit serb”, tha Meidani.
Duke folur për fillesat e procesit që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale, ai përmendi si pikënisje akuzat për trafikim organesh të ngritura vite më parë nga ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte.
“U prodhua një situatë e gënjeshtërt, që nisi me një botim të Carla Del Ponte. Më pas çështja kaloi në dosje për Këshillin e Europës dhe trysnia vazhdoi deri sa forcat politike në Kosovë ranë dakord për krijimin e Gjykatës Speciale jashtë territorit të Kosovës”, u shpreh ai.
Meidani theksoi se personalisht nuk kishte qenë dakord me krijimin e kësaj strukture, ndonëse në atë kohë nuk mbante funksion zyrtar. Sipas tij, miratimi i gjykatës u bë me arsyetimin që procesi të verifikohej dhe të sqarohej përfundimisht.
I pyetur nëse beson në akuzat për krime të rënda ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Meidani u shpreh:
“Asnjëherë nuk e kam besuar. Ata ishin udhëheqës me emocion dhe me dëshirë për të çliruar vendin, të gatshëm të sakrifikonin jetën e tyre.”
Ai tregoi gjithashtu për një vizitë në Hagë, ku sipas tij kishte vërejtur lodhje dhe zhgënjim tek të akuzuarit, ndërsa përmendi se një prej tyre “mbante humorin dhe merrej me pikturë”.
Në fund, ish-Presidenti ngriti çështjen e rolit të institucioneve të Kosovës, duke sugjeruar se Kuvendi i Kosovës duhet të reflektojë mbi vazhdimësinë e Gjykatës Speciale.
“Kuvendi i Kosovës duhet të veprojë. Është madje vonë. Duhet të mendojë për rregullime në legjislacion, ose për përfundimin e kësaj gjykate, ose që ajo të jetë plotësisht strukturë ndërkombëtare pa përfshirje direkte të shtetit të Kosovës”, deklaroi Meidani.




