Edhe pas takimit të dytë të Grupit Punues për vizat shtetet anëtare të BE-së nuk u dakorduan që të japin një vendim pozitiv për liberalizim.
Kjo pasi që, nuk pati konsensus që vendimi të ndërlidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS.
Për ish-ministren e jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, tejzgjatja e procesit të liberalizimit të vizave i ka pasqyruar mangësitë strukturore të BE-së dhe ia ka humbur asaj kredibilitetin.
Ajo nuk pret vendim të shpejt pozitiv për këtë çështje, aq më pak para funksionalizimit të ETIAS.
“Mos të harrojmë se në të kaluarën, edhe disa shtete të tjera anëtare të BE-së nuk e kanë dhënë qartazi qëndrimin pro-liberalizimit duke u fshehur prapa JO-së së shteteve të mëdha skeptike si Franca e Holanda, dhe pastaj i gjithë skepticizmi në fund ka pamundësuar hedhjen në votim përfundimtar të kësaj çështjeje. Fatkeqësisht, nuk shoh as ndonjë ndërrmarrje serioze lobimi nga qeveria për të përafruar bashkëpunimin me këto shtete skeptike, të cilat nëse veç e kanë ndërmend të ndryshojnë qëndrim shpejtë, do të duhej të dërgojnë në Kosovë ekipe faktmbledhëse për temat preokupuese, të hartojnë një raport përmbledhës për vizitën dhe çështjet me interes për qeveritë e tyre, e tek pastaj të vendosin për një qëndrim përfundimtar – dhe kjo merr shumë kohë”, tha ajo.
Për njohësin e çështjeve politike, Melazim Kocin ka gjasa që të vendosen kritere të reja politike për liberalizim si në të kaluarën.
“Mendoj që nuk ka të bëj me aspektin teknik të çështjes, është aspekt politik. Më herët e kushtëzonin me demarkacionin, kësaj radhe dyshoj që do ta kushtëzojnë me targat, me çështjen e veriut. Mendoj që Kosova këtu ka gabuar, është dashur e para t’i paraprijë kësaj situate, të heq dorë nga targa por të kërkoj heqjen urgjente të vizave”, tha Koci.
Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave qys më 2018 e që nga atëherë është në pritje të një vendimi pozitiv.
Kronika e gazetarit Gojart Jashari.