Gjykata Themelore në Prishtinë, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe ish-deputetit nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, e ka dënuar këtë të fundit me 800 euro gjobë dhe 3 muaj burgim me kusht për akuzën për mosraportim të pasurisë.
Todosijeviq akuzohej se në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2020 nuk ka paraqitur të dhënat e sakta në formularin për deklarimin e pasurisë, pra nuk ka deklaruar pronat e evidentuara në emër të prindit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të enjten, nga gjykatësi Sabit Sadikaj.
Sipas aktgjykimit, Todosijeviq u dënua me 3 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.
Po ashtu, ai u dënua edhe me 800 euro gjobë, të cilën shumë detyrohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në rast se nuk e paguan gjobën, ky dënim i zëvendësohet me burgim, ashtu që një ditë burgim llogaritet për 20 euro.
Todosijeviq obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe gjyqësore, nga 20 euro.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në afat prej 30 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 janar 2024, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ivan Tosodijeviq akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 31 mars 2021, në formularin e dorëzuar për deklarim të pasurisë së zyrtarëve publikë për vitin 2020, nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë që e ka pasur për obligim sipas nenit 3, paragrafi 1, pika 1.1.8 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin e Prejardhjes dhe Kontrollin e Dhuratave.
Sipas plotësimi të dispozitivit, përkatësisht përshkrimit faktik të veprës penale, të bërë nga prokurori Besnik Jakupi në seancën e 13 shkurtit 2024, “i pandehuri nuk i ka deklaruar pronat të cilat kanë qenë të evidentuara në emër të prindit të tij V.T”.
Me këtë, Todosijeviq akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Kujtojmë se në korrik të vitit 2023, Gjykata Supreme e Kosovës, Todosijeviqin e ka liruar nga akuza për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, i cili nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 tetor 2022 ishte dënuar me 1 vit burgim, e të cilin vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.