Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutash, ka vlerësuar se situata e sigurisë në vend është përgjithësisht e qetë, por mbetet e brishtë, veçanërisht në katër komunat veriore. Sipas tij, tensionet mund të rriten papritur si pasojë e çështjeve të pazgjidhura, retorikës jo ndihmuese dhe rritjes së dezinformatave. Ulutash në Tëvë1 theksoi se KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pranishëm në terren, me dislokim fleksibil të forcave dhe përfshirje të trupave rezervë të NATO-s, për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët.
Ai e cilësoi të papranueshëm sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe sulmin ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan gjatë vitit 2023, duke rikujtuar se NATO prej dy vitesh kërkon që autorët të dalin para drejtësisë. Ulutash tha se pritet bashkëpunim i plotë nga autoritetet e Serbisë për zbardhjen e këtyre rasteve. Komandanti i KFOR-it theksoi se zgjidhja afatgjatë e situatës mes Kosovës dhe Serbisë është politike dhe kërkoi që palët t’i rikthehen dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, vetëm përmes fleksibilitetit, vullnetit të mirë dhe qasjes konstruktive mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve. /teve1.info/






