Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ku paraqiten gjetjet mbi ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të vitit 2025.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, se nga 11 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, vetëm 3 prej tyre janë akuzuar duke mbajtur detyrën zyrtare, përkatësisht vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur detyrën zyrtare, ndërsa 72.7% e personave tjerë janë akuzuar vetëm pasi që janë larguar nga detyra zyrtare.
Ai theksoi se gjatë nëntëmujtorit e parë të vitit 2025, nga 4 zyrtarët e akuzuar, vetëm njëri akuzohet si ish-zyrtar, ndërsa tre të tjerët janë akuzuar për pozitat që ende mbajnë.
“Gjatë periudhës 2024–2025, nga gjithsej 36 aktakuza të ngritura nga Prokurori i Shtetit, të analizuara për qëllime të draftimit të këtij rasti, në vetëm shtatë (7) raste është bërë kërkesë për sekuestrim ose konfiskim të pasurisë së përfituar me vepër penale, ndërsa në 29 raste një kërkesë e tillë nuk është bërë. Shprehur në përqindje, rezulton se vetëm 19% të aktakuzave Prokurori i Shtetit ka bërë kërkesë për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë së përfituar me vepër penale, ndërsa 81% e aktakuzave janë ngritur pa një propozim të tillë”, tha Shala.
Shala gjithashtu theksoi se Prokuroria e Shtetit ka pësuar regres në kuptim të ngarkesës me lëndë të korrupsionit.
Ndërsa, Afrim Shala, gjykatës në Gjykatën Supreme, vlerësoi se “sistemi gjyqësor ka arritur efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke treguar përmirësim të vazhdueshëm dhe ulje të numrit të rasteve të pazgjidhura.”
Afërdita Bytyqi, gjykatëse në Gjykatën e Apelit, deklaroi se lëndët e korrupsionit në këtë gjykatë trajtohen “maksimumi brenda tre muajve”, duke garantuar efikasitet dhe përgjegjshmëri.
Ajo shtoi se vonesat e rasteve 2017-2018 lidhen me kompleksitetin e lëndëve dhe procedurave të mëparshme.
Prokurori Zef Prendrecaj vlerësoi raportin si një mjet të rëndësishëm të transparencës dhe llogaridhënies: “Ne i mirëpresim gjetjet dhe konstatimet nga raporti si pjesë të monitorimit publik, që ndihmon forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e performancës së Prokurorisë.”
Ndërsa, Arian Gashi, prokuror dhe anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, theksoi se vetëm 48% e aktakuzave për korrupsion kanë kaluar në gjykata gjatë vitit 2024, ndërsa deri në shtator 2025 ka pasur një rritje në 60%.
Ndërsa, Alfons Lentz, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se pavarësisht progresit në trajtimin e rasteve të korrupsionit, “rasteve të nivelit të lartë korruptiv nuk u kushtohet vëmendja e duhur”.










