Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se refuzimi i Kryesisë së Kuvendit për të zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm, si dhe shpallja e një konkursi të ri “pa asnjë bazë ligjore”, përbën një shembull të qartë të mosrespektimit të ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare nga institucioni që duhet të garantojë sundimin e ligjit.
Në komunikatën për media, IKD thekson se kryesia e kuvendit “në mënyrë arbitrare” ka shpallur konkurs të ri, duke mos votuar asnjërin prej kandidatëve të propozuar, gjë që sipas institutits është në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi.
IKD shton se moszgjedhja e kandidatit nuk është thjesht një lëshim procedural, por përbën refuzim për të zbatuar ligjin sipas rezultatit të një procesi të ligjshëm administrativ.
“Kjo mënyrë e veprimit paraqet ndërhyrje arbitrare në një procedurë që tashmë kishte përfunduar. Më shqetësues është fakti se propozimi për anulimin e konkursit nuk ka marrë as mbështetjen e nevojshme në Kryesi. Me tre vota për dhe tre abstenime, Kryesia nuk ka arritur të marrë asnjë vendim përfundimtar, duke e lënë Kuvendin në një situatë të papranueshme të paralizës së një institucioni të rëndësishëm,” thuhet në komunikatë.
IKD bën thirrje që Kuvendi të rikthejë ligjshmërinë në këtë proces, duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar dhe duke ndalur praktikat arbitrare që cenojnë integritetin e administratës publike, funksionimin normal të Kuvendit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.




