Juventusi është shumë pranë emërimit të trajnerit të ri, me Igor Tudor që pritet të marrë drejtimin e bardhezinjve deri në fund të sezonit, me opsionin për të vazhduar deri në vitin 2026.
Sipas burimeve të besueshme, dokumentet janë në përgatitje dhe pritet që Tudor të firmosë së shpejti kontratën me “Zonjën e Vjetër”. Ish-mbrojtësi kroat, i cili ka pasur një histori si lojtar me Juventusin, ka qenë gjithmonë kandidati kryesor për këtë detyrë, ashtu siç ishte raportuar edhe tre ditë më parë.
Tudor ka eksperiencë si trajner në Serie A, ku ka drejtuar më parë Udinesen dhe Veronën, si dhe ka pasur një periudhë të shkurtër në pankinën e Marseille në Francë.
Tani ai pritet të marrë drejtimin e Juventusit në një moment kyç të sezonit, me synimin për të stabilizuar skuadrën dhe për të siguruar rezultate pozitive në garën për objektivat e mbetur.
Zyrtarizimi pritet të vijë brenda orëve apo ditëve në vijim, me tifozët e Juventusit që presin me interes të madh epokën e re nën drejtimin e Tudor.