Teksti: Lindrit Zejnullahu dhe Sylejman Sylejmani
Institucionet e Kosovës kanë shpallur në kërkim mbi 50 persona të dyshuar për terrorizëm lidhur me ngjarjet në Banjskë dhe përreth saj.
Pavarësisht se qeveria tashmë ka shpallur dy organizata që operuan në veri si terroriste, nuk është hartuar ende një plan për trajtimin dhe përfshirjen e anëtarëve të këtyre grupeve në procesin e ri-socializimit.
Në qershor të vitit 2023, gazetarja Dorentina Thaqi raportonte për një sërë protestash në komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – ku banorët serbë kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.
Ajo u sulmua fizikisht nga një grup radikal që po sulmonte gazetarët dhe policinë asokohe.
“Unë dhe kolegët kemi shkuar pothuajse çdo ditë në veri për të përcjellë protestat dhe situatën e sigurisë,” kujton Thaqi.
Më 16 qershor, situata eskaloi kur protestuesit reaguan ashpër ndaj vizitës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi, në Leposaviq.
“Me të dalë ministri nga vetura, protestuesit na janë vërsulur neve – ekipeve të mediave. Të gjithë ishim media nga Kosova. Unë jam goditur me gurë, e kolegët e tjerë edhe me shkelma. Dikujt i janë marrë edhe disa pajisje,” tregon Thaqi, e cila dëgjoi edhe të shtëna armësh.
Ajo dhe kolegët kanë dhënë deklarata në polici, por tashmë që kanë kaluar gati dy vite nga ngjarja, nuk janë kontaktuar më nga organet kompetente për të dëshmuar apo për të marrë ndonjë informacion mbi rastin.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës.
Disa të dyshuar tashmë po gjykohen, por shumë të tjerë mbeten të pakapshëm për drejtësinë.
Miodrag Marinkoviq, drejtor i organizatës “Casa” me seli në Mitrovicën e Veriut, thotë se shumë pjesëmarrës në protesta janë larguar nga Kosova për shkak të frikës nga ballafaqimi me drejtësinë kosovare.
“Disa individë janë larguar nga Kosova nga frika e ndjekjes penale, jo domosdoshmërisht sepse kanë ushtruar dhunë, por sepse morën pjesë në protesta politike, që nga perspektiva e tyre nisën si demonstrata paqësore. Situata kërkon një reagim ligjor me precizion kirurgjik, që bën dallimin e qartë ndërmjet protestës dhe dhunës,” thotë Marinkoviq.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka analizuar këto protesta, në të cilat u plagosën edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it.
Drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Mentor Vrajolli, thekson se përveç vendosjes së drejtësisë, shteti duhet të punojë edhe për riintegrimin e të përfshirëve.
“Mendoj se ky problem duhet të shihet përtej këtyre personave që tashmë janë në duart e institucioneve të sundimit të ligjit. Që këta të mund të riintegrohen, duhet të integrohet i tërë komuniteti. Është e pamundur që këta përmes Sistemit Korrektues të riintegrohen në shoqëri, përderisa kur kthehen në komunitet, ai i radikalizon sërish dhe i shtyn drejt veprimeve të ngjashme,” vlerëson Vrajolli.
Sipas tij, institucionet duhet të punojnë më shumë me komunitetin në tërësi.
Shteti, sipas Mensur Hotit, drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tashmë e ka gati një strategji.
“Plani aktual i riintegrimit dhe rehabilitimit është krijuar për rastet e radikalizmit fetar, por shumë lehtë mund të adaptohet për të gjitha llojet tjera të radikalizmit, sepse institucionet që e zbatojnë janë të njëjtat. E vetmja ndryshim është se në rastet me ekstremizëm të djathtë përjashtohet aspekti religjioz, por jo domosdoshmërisht,” deklaron Hoti.
Ai përmend edhe rolin potencial të Kishës Ortodokse në procesin e deradikalizimit:
“Një rol të veçantë mund ta luajë Kisha Ortodokse, që do të bëhej mekanizëm ndihmës në orientimin e programeve të deradikalizimit në rastin konkret,” shpjegon Hoti.
Përtej planeve dhe strategjive, Miodrag Marinkoviq thekson nevojën për ndërtimin e besimit institucional dhe ndëretnik në veri të Kosovës: “Përparim më kuptimplotë mund të arrihet përmes forcimit të besimit institucional dhe ndëretnik, duke siguruar trajtim të barabartë para ligjit dhe, më urgjentisht, përmes kompromisve politike që do t’i rikthenin serbët e Kosovës në institucionet e sundimit të ligjit.”
Megjithatë, Vrajolli mbetet skeptik për mundësinë e një riintegrimi të plotë të komunitetit serb në rrethana të tilla.
Sipas tij, mungesa e një lidershipi të vërtetë përfaqësues është një nga pengesat më të mëdha.
“Komuniteti serb në Kosovë, për shkak të Listës Serbe, nuk ka një lidership të vërtetë. Edhe pse Lista Serbe merr shumicën e votave, ajo nuk i përfaqëson realisht serbët në Kosovë. Duhet të gjenden liderë të rinj, që edhe nëse kanë mendime ndryshe, të respektohen dhe të kenë fuqi për të folur në emër të komunitetit dhe për t’u afruar me institucionet,” analizon Vrajolli.
Ai thekson se përderisa ekziston përçarje mes Listës Serbe dhe përfaqësuesve të tjerë të komunitetit, riintegrimi është i pamundur.
“Për shkak të kësaj përçarjeje, nuk besoj se mund të ndodhë riintegrimi i komunitetit serb. Duhet të gjenden forma të tjera që kjo të ndodhë,” përfundon ai.
Për këtë artikull janë kontaktuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Sprovues, por as pas më shumë se një jave nuk kanë dhënë përgjigje.
Ekipi realizues ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga disa prej avokatëve të personave të akuzuar apo dënuar, por ata kanë refuzuar të flasin.
Protesta e 29 majit ishte një nga më të dhunshmet e vitit 2023. Një ushtari hungarez të KFOR-it iu amputua këmba si pasojë e lëndimeve, ndërsa u plagosën edhe 30 ushtarë të tjerë të NATO-s në Kosovë.