Studimet i përfundoi, por punë s’gjeti.
Diplomat në bachelor dhe master nuk i hapën rrugën e punësimit Ramë Hajrajt nga Istogu.
Edhe pse student i dalluar, ai thotë se përballja me tregun e punës ishte zhgënjyese.
“Arsyet e përballjes me një sistem të brishtë, një sistem i cili absorbon ndër vete nepotizëm, jomeritokraci dhe një sistem ku servilizmi krijon vlerë kurse vlera e humb realitetin përball servilizmit”, tregoi Hajra.
Kësisoj, thotë se u detyra të marrë një prej vendimeve më të rënda në jetë, ta lë Kosovën.
“Kam vendos të largohem prej Kosovës për një arsye shumë të thellë dhe bindëse, sepse sistemi, institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për mua dhe shumë të rinj që kanë marrë rrugën e mërgimit. Ajo nuk është një rrugë e lehtë”, tha ai.
Rasti i tij nuk është i izoluar.
Pikërisht mungesa e perspektivës, konsiderohet një nga arsyet e ikjes se të rinjve, për një jetë në perëndim.
Në 10 vitet e fundit, numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës, ka qenë vazhdimisht në rënie.
Nga mbi 7500 mijë studentë sa ishin regjistruar në vitin akademik 2016/2017, në vitin e fundit numri i studentëve të regjistruar ka rënë në më pak se 5 mijë.
“Trendi në rritje i mungesës së interesimit për shkollim universitar nuk është befasues, është trend prezent ndër vite. Si duket interesimi më i madh i të rinjve është për kualifikime më të shpejta që gjenerojnë punësime të shpejta”, tha njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
Rënie e interesimit të studentëve, vërehet edhe në Universitetin e Mitrovicës.
“Krahasuar me vitet paraprake vërehet një rënie e lehtë e atyre qe aplikojnë për t’u bërë pjesë e studimeve në Universitetin tonë. Ky është një trend i përgjithshëm jo vetëm në Universitetet tona por edhe në rajon. Kjo është për shumë arsye është shumë komplekse edhe për shkak të gjendjes së përgjithshme”, tha drejtori i Zyrës për Informim në UIBM, Ahmet Jashari.
Kryesisht, nga studentët aktiv, dominon gjinia femërore, me mbi 67 për qind të studentëve, krahas 32 për qind që janë të gjinisë mashkullore.






