I është dhënë lamtumira e fundit ish-luftëtarit të UÇK-së, Agron Haradinaj, i cili vdiq pak ditë më parë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Ramosaj e vlerësoi Haradinajn si njërin prej personave që e mbajtën shpresën gjallë për të pasur rreze dielli mbi këtë vend.
“Sot nderuam Agronin e bacës Ismajl, i burgosur si 16 vjeçar.
Sot kujtuam e nderuam Agronin, pjesëtarin e familjes më të persekutuar shqiptare.
Sot i dhamë lamtumirën e fundit Agronit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot Agronit i tham lamtumirë edhe në emër të Nasimit, i cili ende vazhdon të jetë në burg”, ka shkruar Ramosaj.
Haradinaj është vëllai i Nasim Haradinajt, ish-udhëheqësit të OVL-së së UÇK-së, i cili është i dënuar me burgim nga Gjykata Speciale.