Një person është arrestuar mbrëmë në rrugën “5 Maji” në Prishtinë, pasi kishte sulmuar zyrtarët policorë nën ndikimin e alkoolit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur dje. I dyshuari, fillimisht është ndaluar dhe është dërguar në stacionin policor për intervistim.
“Derisa zyrtarët policorë kanë qenë duke u marrë me të dyshuarin, ky i fundit kishte tentuar të largohet nga stacioni policor. Pasi që zyrtarët policorë e kishin ndaluar, ai i kishte sulmuar ata dhe u kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.