Komuna e Gjilanit ka qenë ndër më të prekurat nga vërshimet viteve të kaluara.
Por, për një vit e gjysmë situata është përmirësuar.
Të paktën kështu ka thënë kryetari i kësaj komune Alban Hyseni. Sipas tij, për një vit e gjysmë ka pasur vetëm një herë probleme nga vërshimet në dy lokacione, por që në sasi më të vogël nga vitet e kaluara.
Hyseni në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1 ka thënë se me pastrimin dhe intervenimin në shtretërit e lumenjve është bërë një zgjidhje afatgjate.
“Gjilani gjatë një viti e gjysmë ka pasur vetëm një herë problem me vërshimet ka ndodhur në një ose dy lokacione të cilat kanë qenë shumë më të vogla.Kemi bërë zgjidhje më afatgjate se sa që ka qenë më herët, kemi pastruar 12 pika që kanë qenë kritike”, ka thënë Hyseni.
Ai ka bërë të ditur se komuna së shpejti do të nënshkruaj kontratë për pastrimin e lumenjve në vlerë prej 100 mijë euro. Hyseni ka thënë se më këtë synojnë që për dy vitet e ardhshme do të zgjidhin problemin e vërshimeve.
“Jemi në pritje të nënshkrimit të kontratës për pastrimin e lumenjve në vlerë 100 mijë euro përmes së cilës po shpresojmë se në dy vitet e ardhshme do të zgjedhimin njëherë përgjithmonë problemin e vërshimeve në qytetin tonë. Pika më kritike për momentin është në fshatin Malishevë, ku më një zgjerimin të thjeshtë të shtratit të lumit mund të bëhet një zgjidhje. Diku në 200 metër të pastrimit të shtratit të lumit janë larguar mbi 100 goma të veturave, kjo është problem dhe po na shqetëson. Deri tash në 12 pika ku kemi intervenua nuk kemi pasur probleme. Deri më tash në qendrën e qytetit nuk kemi pasur probleme me vërshime”, ka thënë Hyseni.
Ai ka thënë se zgjidhja e përhershme është rregullimi i shtratit të lumenjve, gjë për të cilin ka thënë se nga viti i ardhshëm do të ketë hapa konkret.