Kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së, Driton Hyseni, ka bërë më dije se Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillon punimet në Estoni, sot vendosi që ta ngre statusin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar në Asamble.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO.
“Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillon punimet në Estoni, sot vendosi që ta ngre statusin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar në Asamble. Ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka thënë se për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues.
“Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 Maj në Sofje. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amandamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë”, ka shkruar ai.
Ai me tej, si kryesues i delegacionit ka falënderuar të gjithë anëtarët e komisionit drejtues të asamblesë për vendimin e marrë sot në favor të Kosovës.
“E një falënderim të veçantë i dedikova sot përmes komunikimit që kisha me telefon presidentit të Asamblesë z. Michal Szczerba, të cilit po ashtu i shpreha pozicionin e palëkundur të Kosovës në avancimin e vlerave tona të përbashkëta”.