Serbët në veriun e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës, që të zbatoj disa lehtësira në zbatimin e Ligjit për të Huajt.
Megjithatë, drejtori i organizatës joqeveritare AKTIV në Mitrovicë të Veriut, Miodrag Miliceviç, thotë se akoma shumë prej informatave i kanë të paqarta.
“Disa nga informatat nga ky ligj janë ende të paqarta për komunitetin serb, dhe ende po kërkojnë sqarime shtesë në lidhje me këto. Shumica e këtyre paqartësive janë në lidhje me lëvizjen, përdorimin e veturave dhe të ngjashme, sepse sipas njoftimeve më të vonshme nga Ministria e Brendshme, është e paqartë për ata që kanë nënshtetësi të dyfishtë, si mund të hyjnë, sa mund të qëndrojnë. Më e rëndësishme është çështja për institucionet shëndetësore, arsimore, studentët e të ngjashme, na duhet disa njoftime shtesë të cilat presim nga qeveria dhe Ministria e Brendshme. Të rinjtë që studiojnë dhe udhëtojnë në Kosovë mund të vijnë dhe të qëndrojnë për 12 muaj. Megjithatë universitetet do të duhet të përgatisin listat e atyre studentëve dhe t’ua dërgojnë kryetarëve të atyre komunave për t’ia dërguar institucioneve kosovare për aprovim”, ka thënë Milicevic.
Zbatimi i ligjit për të huajt, ka filluar nga sot.
Përmes tij, Qeveria po synon që t’i pajis me lejeqëndrim, të gjithë të huajt të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës dhe qëndrojnë për më shumë se tre muaj.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se qytetarët e huaj me të hyrë në kufi, kanë një afat ligjor tre ditor për të deklaruar adresën se ku qëndrojnë.
Deklarimi mund të bëhet në stacionet policore, ose përmes një aplikacioni.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, tregon disa nga detajet e zbatimit të ligjit.
“Pra Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë një proces të detajuar në kuadër të cilit do të informojë për zbatimin e këtij ligji. Në anën tjetër, institucionet të cilat funksionojnë në Republikën e Kosovës do të kenë përgjegjësi që ta furnizojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme me të dhëna të sakta në raport me individët të cilët do të kenë nevojë për këtë lejeqendrimin i cili do të jetë tre muaj e pastaj do t’i nënshtrohet zbatimit të ligjit të tërësishëm. Kjo sigurisht në fokus ka studentët të cilët jetojnë dhe studiojnë në Republikën e Kosovës por edhe ata të cilët punojnë në sektorin e arsimit dhe atë të shëndetësisë”, u shpreh Fejza.
Përmes këtij ligji, si të huaj trajtohen edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Mirëpo Fejza thotë se kjo çështje do të trajtohet në disa faza.
“Ne nuk duhet të harrojmë që ka student edhe nga Presheva, të cilët i vazhdojnë studimet në Republikën e Kosovës dhe ne e kemi konsideruar si një fazë të rëndësishme e cila do të i ndihmojë në tërësi zbatimit të ligjit”, ka thënë tutje Fejza.
Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga përfaqësuesit shqiptarë në Luginë të Preshevës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.






