Ekonomisti, Naim Huruglica e ka vlerësuar si të pabarabartë vendimin e Qeverisë së Kosovës për miratimin e dhënies së pagës së 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Huruglica ka theksuar se kjo masë nuk i trajton në mënyrë të barabartë të gjitha shtresat e shoqërisë, të cilat janë prekur nga inflacioni.
Sipas tij, inflacioni ndikon në të gjithë qytetarët, jo vetëm te nëpunësit civilë, dhe për këtë arsye mbështetja duhet të jetë më gjithëpërfshirëse.
“Inflacioni i prek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe, nëse kjo masë i ndihmon ata që janë pjesë e shërbimit civil, është në rregull. Por, në praktikë, nuk ka arritur t’i trajtojë barabartë të gjitha shtresat shoqërore të prekura nga inflacioni, pasi inflacioni nuk i prek vetëm nëpunësit civilë, por të gjithë shoqërinë”, është shprehur ai.
Huruglica e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë ndaj sektorit privat, duke argumentuar se fondet që përdoren për këtë pagesë burojnë nga taksat e mbledhura kryesisht nga bizneset.
“Është pabarazi ndaj sektorit privat, sepse këto janë taksa të grumbulluara nga ky sektor dhe në vend që të gjendet një mënyrë për t’u kthyer atij, ato po shkojnë në shpenzime të sektorit publik,” ka deklaruar Huruglica.
Ai gjithashtu ka theksuar se sipas buxhetit të vitit 2026, rreth 25% e totalit të buxhetit shkon për paga dhe mëditje, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme për transfere sociale dhe pensione.
Sipas Huruglicës, kjo strukturë paraqet barrë të madhe për taksapaguesit dhe bizneset.
“Sipas buxhetit të vitit 2026, 25% e tërë buxhetit shkon vetëm për paga dhe mëditje. Në anën tjetër, pjesa tjetër e buxhetit shkon kryesisht për transfere sociale dhe pagesa të pensioneve. Ndërsa vetëm 25% e buxhetit është për investime kapitale. Pra, kjo paraqet një barrë të madhe për taksapaguesit dhe bizneset, për ta përballuar këtë shpenzim buxhetor, i cili kryesisht po shkon për të mbajtur administratën publike dhe skemat sociale të vendit”, ka përfunduar Huruglica.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, të hënën, ka miratuar propozim-vendimin për miratimin e dhënies së pagës së 13 – të për punonjësit që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Ekzekutimi i vendimit sipas kryeministrit Albin Kurti, do të bëhet të martën./teve1.info/







