Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte serioz në qasjen e tij për një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Hoxhaj është shprehur se nëse Kurti do të ishte i interesuar për këtë çështje do të niste takimet dhe konsultat më herët.
Ai në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë, për takimet e Kurtit me PDK-në e LDK-në ka thënë se ishin sikurse “ndonjë audiencë me Papën”
“Nëse z.Kurti do të ishte serioz nuk do ta niste debatit për ta zgjedh presidentin në dy javët e fundit, por do ta niste në dy muajt e fundit. Dhe nëse në dy javët e fundit Kurti filloi konsultat politike, kishte takime gjegjëse sikurse të ketë ndonjë audiencë me Papën e jo më parti politike. Në dy ditët e fundit përmendi emra dhe në dy orët e fundit u mbajt seanca. Ky angazhim i tij ka qenë më shumë një teatër politik”, ka thënë Hoxhaj.
Ai është shprehur se nuk mund të krijohen institucionet me këtë rezultat zgjedhor nëse nuk ka vullnet politik të Kurtit.
Hoxhaj ka thënë se kriza për zgjedhjen e presidentit nuk është politike, por kizë e egos së Kurtit dhe Osmanit.
“Kriza për presidentin nuk është krizë politike, është krizë e egos. Kjo krizë egosh e njerëzve që në fund u ndanë pa ndonjë kauzë politike por thjesht për arsye të pushtetit personal e krijo këtë situatë”, është shprehur Hoxhaj.
Kurti ka thënë se do t’i ftojë sërish për konsultime kryetarin e PDK-së Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abixhiku për diskutime për çështjen e presidentit.
Por, dy liderët e partive më të mëdha opozitare thanë se duhet të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin për zgjedhje të reja nga presidentja Osmani.
Gjykata Kushtetuese për këtë çështje ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars.




