Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha, me bashkëpunëtorë, kanë vizituar policin e plagosur dhe atë të lënduar, të cilët intervenuan në parandalim të grabitjes së armatosur të ndodhur me 22.11.2023 në Suharekë.
Po ashtu në orët e pasdites, drejtori Hoxha vizitoi në SHSKUK edhe zyrtarin policor i cili u plagos sot, gjatë realizimit të operacionit policor për identifikim dhe arrestim të grabitësve të rastit në Suharekë.
Plagosja e zyrtarit ka ndodhë si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri drejt policisë nga njëri prej grabitësve.
Veprimet profesionale të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje u detyruan të përdorin forcën proporcionale, bënë neutralizimin e grabitësit që shtiu me armë zjarri, si dhe arrestimin e disa të dyshuarve tjerë.
Drejtori Hoxha, fillimisht iu dëshiroi shërim të shpejtë zyrtarëve policorë dhe njëherit i falënderoi ata për punën, guximin dhe përkushtimin e vazhdueshëm për t’i shërbyer qytetarëve dhe vendit.
“Njëkohësisht drejtori Hoxha shprehu mbështetje dhe përkrahje të pakursyer ndaj zyrtarëve policorë, dhe uroi që të kthehen së shpejti në familjen e madhe policore”, thuhet në komunikatë.