Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është takuar me ish-zëvendësshefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph.
Në një postim në Facebook, Hoti ka bërë të ditur se së bashku me Joseph kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, përcjell teve1.info
Ai është shprehur se marrëveshja gjithëpërfshirëse për njohje reciproke është zgjidhja e vetme që siguron paqe.
“Joseph është njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan. I dëgjova me shumë interes pikëpamjet e tij lidhur me situatën aktuale. Theksova se, Kosova duhet të jetë promovuese dhe kontribuese e stabilitetit rajonal. Tregova pikëpamjet e LDK-së për dialogun dhe zhvillimet aktuale politike. Për LDK-në, zgjidhja e vetme është dialogu dhe koordinimi me aleatët tanë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve është zgjidhja e vetme që siguron paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. E falënderova për kontributin e tij ndër vite që ka bërë për Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai. /Teve1.info/