Autore: Adea Mustafaj
Të parët arritën familjarët.
E më pas, edhe udhëheqësit komunalë e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pikëtakimi ishin varrezat e qytetit të Podujevës.
Kështu të gjithë bashkë, vazhduan drejt varrit të Besnik Restelicës.
E gjitha kjo, në përvjetorin e 29-të, të vrasjes së veprimtarit të shquar, i cili ndërroi jetë në Burgun e Prishtinës, nga torturat serbe.
“Du me ju falënderua shumë që jeni prezent në 29 vjetorin e rënies të Besnikut. Ne si familje jemi jashtzakonisht krenar me vepren që e ka bo Besniku. Ky jo që e ka bë për veti po na ka bo edhe neve edhe lagjen tonë, edhe Llapin”, tha Enver Restelica – vëllai i Besnikut.
E një bashkëvendës i heroit, emocionoi të pranishmit, kur kujtoi momentin kur trupi i pajetë i Restelicës, u soll në shtëpi.
“Më kujtohet çasti kur sollën kufomën e të ndierit dëshmorit të kombit, heroit të Kosovës Besnik Resterica në shtëpi. Me të hapur sanakun ku ishte e vendosur kufoma e të ndierit, babai i të ndierit Muharremi ju drejtua të pranishmeve, djalit të tij tashmë hero tha: Besnik djalë i imi, ashtu si e ke pas emrin Besnik, u tregove besnik ndaj shokëve dhe nuk i tradhtove” , tha Sylejman Blaku, bashkëvendas.
Para të pranishmëve, vepra e Besnikut u çmua edhe nga i pari i Podujevës.
“Sigurisht që këto përvjetore e ky i 29 këtu sot për Besnikun janë përvjetore që ngjallin edhe ndjenjën e dhimbjes, por jo që është shumë e rëndësishme, ndjenja krenarie për krejt atë që e kanë bo. Për arsye se sakrifica e tyre, gjaku i tyre mirëpo edhe rënia e tyre ka qenë për këtë liri që të gjithë na po e gëzojmë”, u shpreh kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
Besnik Restelica, ishte arrestuar në shtëpinë e tij me 30 janar të vitit 1997.
Ndërsa nuk pranoi ta nxirrte as një informacion për shokët e luftës, ani pse u torturua deri në vdekje.






